AlbanianSport.com 19/01/2019 13:30
ASNN – Teuta ka bërë një paraqitje fantastike deri tani në Ligën Ballkanike, pasi në nëntë ndeshje të luajtura ka fituar 6 takime, duke mbajtur përkohësisht kreun e renditjes, por njëkohësisht duke qenë një kandidate për “play-off”-in, ku del më pas dhe fituesi i Ligës. Ky është padyshim një sukses. Nga ana tjetër, Teuta është në pozita të forta edhe në Kampionatin Kombëtar të Basketbollit të Meshkujve.
Aty ku premisat për të qenë fituese e trofeut janë, megjithëse deri në fund nuk i dihet, ka rivalitet dhe surpriza e nuk përjashtohen të papriturat. Për të rritur potencialin e saj teknik dhe rezultatet, si në kampionat dhe në Ligën Ballkanike, klubi durrsak ka bërë një blerje të fortë në këtë merkat dimri, duke afruar amerikanin Tevin Broils. Basketbollisti amerikan 193 cm i lartë është një sportist që luan në disa pozicione në parket.
Dhe kjo e bën atë të marrë vëmendje. Ai vjen nga Universiteti i Nju Orlinsit dhe shihet si përforcim i goditur i skuadrës durrsake. Lajmin për ardhjen e tij e konfirmoi vetë klubi i “djemve të detit” në profilin e vet në rrjetin social “Facebook”. Mbetet të shihet se çfarë cilësish do të shpalosë në fushën e lojës basketbollisti amerikan.
Por fakti që ai vjen nga një shkollë e njohur basketbollit mund të ndihmojë Teutën të arrijë objektivat e saj. Përforcimi mund të shihet si sfidë edhe ndaj rivalëve në kampionat, të cilët janë të detyruar tashmë të marrin masa për të përmirësuar potencialin e tyre teknik. Ndërkohë, në krahun tjetër, mbetet ende i paqartë fati i basketbollistit tjetër amerikan të durrsakëve, CJ Uillson.
Ndërkohë që klubi i Teutës pretendon se ai është nën kontratë me durrsakët deri në fund të sezonit, nga Kosova vijnë lajme, të ilustruara edhe me foto, ku shihet se Uilson firmos me Trepçën. Mbetet për t’u parë sesi do të zhvillohet kjo çështje në vijim, ndonëse duhet theksuar se tregu i lojtarëve të koshit nuk është konsoliduar ende dhe këto lloj largimesh dhe afrimesh janë të përhapura.