AlbanianSport.com 24/10/2018 14:30
ASNN – Teuta në basketboll për meshkuj ka regjistruar një sukses të rëndësishëm në Ligën Ballkanike, pasi mori edhe fitoren e dytë në këtë veprimtari, këtë herë duke mundur në derbin shqiptar të kësaj lige Bashkimin e Prizrenit me rezultatin 88-64. Në Pallatin e Sportit “Ramazan Njala” të Durrësit, ishte një ndeshje e mirë për “Djemtë e detit”, që vinin nga një tjetër triumf në kampionat në derbin me Goga Basket.
Me përjashtim të 10-minutëshit të parë që ishte i ekuilibruar dhe që përfundoi me shifrat 21-20 për durrsakët, të tre pjesët e tjera folën më mirë për ekipin e Teutës, e cila i fitoi respektivisht 28-16, 21-16 dhe 18-12 dhe krejt ndeshjen 88-64. Kjo ishte fitorja e dytë në Ligën Ballkanike për Teutën, pas atij suksesi dramatik në ndeshjen e parë ndaj Bulteks Akademik të Bullgarisë.
Pas këtij suksesi, Teuta merr kreun e renditjes së kësaj lige rajonale, me katër pikë në dy ndeshje, ndërkohë që Bashkimi ka pësuar dy humbje në dy ndeshje. Theksojmë se, për efekt kalendari, skuadrat e tjera rivale nuk e kanë nisur ende garën me përjashtim të skuadrës tjetër bullgare, Beroes, që ka marrë një fitore kundër Bashkimit të Prizrenit një javë më parë.