AlbanianSport.com 10/03/2019 23:55
ASNN – Kryeqytetasit i ndëshkon një ish-bardheblu. Një kosh i Gent Laskut në sekondat e fundit të takimit i dha Teutës një fitore me mjaft vlerë për renditjen në Superligën e Kampionatit Kombëtar të Basketbollit të Meshkujve. Ishte pra pikërisht një ish-bardheblu që e ndëshkon Tiranën në sekondën e fundit për t’i nxjerrë kryeqytetasit të humbur nga një duel që vetëm 3 minuta para fundit po e fitonin me 8 pikë diferencë.
Dueli i zhvilluar në Pallatin e Sportit “Ramazan Njala” i qytetit të Durrësit dhuroi emocione të mëdha dhe një rivalitet të spikatur për ta bërë këtë ndeshje njërën prej më të bukurave të sezonit. Dy 10-minutëshat e parë ishin “kokë më kokë”, me një diferencë fare të vogël në favor të “djemve të detit”. 10-minutëshi i parë përfundoi me shifrat 20-13 në favor të Teutës, kurse i dyti u fitua nga bardheblutë 20-14.
Pra një rivalitet shumë i fortë dhe një ekuilibër pothuajse i plotë dhe në shifra. Tirana do ta përmbyste ndeshjen në 10-minutëshin e 3-të, që e fitoi 19-16 dhe në fillim të pjesës së katërt arriti të shkëputej deri në 8 pikë dhe u duk se kryeqytetasit do të regjistronin një fitore të madhe në këtë përballje. Por durrsakët nxituan në minutat e fundit të balanconin lojën dhe rezultatin.
Dhe në minutat e fundit ia dalin të marrin maksimumin e tyre, duke shfrytëzuar saktësinë e Laskut në gjuajtjet për 3 pikë dhe ishte pikërisht ish-basketbollisti i Tiranës ai që ua shkaktoi humbjen bardhebluve. Një trepikësh i saktë dhe një personale ndihmuan Teutën të parakalonte në fund me një pikë Tiranën dhe ta fitonte ndeshjen 75-74, në një duel me përfundim dramati në lojë e rezultat.
Pas kësaj ndeshjeje, e cila ishte e fundit për javën e 15-të, Teuta ruan vendin e dytë në renditje, me 26 pikë, dy më pak se Goga Basket, rivalja e saj më e fortë në garën për titull, si dhe 3 pikë më shumë se Partizani që ka 23 pikë. Tirana pas kësaj humbjeje mbetet në vend të katërt, me 22 pikë, por e pashqetësuar për momentin nga Vllaznia dhe Kamza që kanë 18 pikë.
Me këtë diferencë Tirana mund t’ia dalë të kapë “play-off”-in, një fazë që mundëson të futesh në garën përfundimtare për titullin.
Kampionati Kombëtar
i Basketbollit – Meshkuj
Superliga
Java e 15-të
Të premten, 8 mars 2019:
Kamza – Goga Basket 75-92
E shtunë, 9 mars 2019:
Vllaznia – Partizani 91-80
E diel, 10 mars 2019:
Teuta – Tirana 75-74
Pallati i Sportit “Ramazan Njala”, Durrës
Renditja
Nr. Skuadra N. F. H. Pikë
- Goga Basket 15 13 2 28
- Teuta 15 11 4 26
- Partizani 15 8 7 23
- Tirana 15 7 8 22
- Vllaznia 15 3 12 18
- Kamza Basket 15 3 12 18