Gjergj Vyshka 16.01.2017 19:05
Ish-lojtari i Partizanit, Enea Isaku, rikthehet në parket pas gati një viti e gjysmë mungesë. Ndryshime dhe në stafin drejtues të ekipit; Pirro Tanku në rolin e presidentit e Klarent Dedaj kryetrajner. Kështu, që pas ndeshjes me Skënderbeun, të cilën Tirana Eagle Basket e ka fituar 75-58, atje ku spikatën 14 trepikësha të realizuar, Juri Dashi, për arsyet e tij familjare, u dorëhoq nga skuadra.
Dhe, me këtë tërheqje të Dashit, ka pasur lëvizje dhe në stafin drejtues. Që do të thotë se Pirro Tanku është kthyer në rolin e presidentit, kurse Klarent Dedaj do të jetë kryetrajner i ekipit. “Së bashku me Endrid Fetahun, po pse jo dhe Mirsad Adilin do të bëjmë më të mirën për ekipin që të ngjitemi në Superiore”, – ka thënë kryetrajneri i kësaj skuadre, Dedaj.
“Do të kemi fatin e mirë nëse do të stërvitemi në “Farie Hoti” dhe që do t’i bëjmë ndeshjet atje, – ka vijuar ai. – Ndoshta luajmë të dielën, por ka kohë për të vendosur, ndërsa duke nisur që nga sot përgatitjet do të jenë serioze për ekipin tonë. E pjesë e stafit tonë do të jetë dhe Kristo Qylafi”, – ka përfunduar Dedaj. Ndërkohë Enea Isaku do të mbajë numrin 7 në fanellë, kurse Prodani numrin 12.
Dhe Tirana Eagles Basket e nis kështu vitin 2017 me lëvizje të bujshme me qëllimin final daljen në Superiore.