Gjergj Vyshka 29.02.2016 08:50
Tirana Eagles e ka nisur fazën e tretë me humbje, ndërsa edhe pse ka bërë përforcime në merkaton e dimrit, jo pak, por gati 6 lojtarë nuk ka mundur të rivalizojë ndaj Superiorit. Ky i fundit, i drejtuar nga trajneri Eduard Çarçanit ka mbetur përsëri Superior, ndërsa dje ka arritur fitoren e 3-të radhazi në kampionat ndaj skuadrës së homologut Klarent Dedaj. Nëse në fazën e parë kishte fituar me 28 pikë diferencë, në të dytën me 54 pikë diferencë, dje, në përfundim të ndeshjes, gjithçka ka qenë në kufinjtë e 40-pikëshit.
Që do të thotë diferencat e mëdha mes këtyre dy skuadrave, kjo edhe në nivelin e paraqitjes në parket. Fillimi i ndeshjes është i vrullshëm për Superiorin, që është shkëputur në 6-0. Por Tirana Eagles kthen dhe arrin të barazojë në 6-6. Mirëpo për shkak të pasaktësive, apo dhe protestave ndaj vendimeve të gjyqtarit, Tirana Eagles e humb në një farë mënyre toruan në lojë. Dhe për rrjedhojë këtë situatë shfrytëzon Superiori, që pjesën e parë e ka mbyllur 6-12. Në të dytën, Tirana Eagles, edhe duke pasur Çaçin në lojë, që dje ka qenë pikëshënuesi më i mirë i saj, është afruar në 17-24.
Por deri këtu, sepse në fund të pjesës së dytë, të cilën Superiori e ka fituar 11-18, shënohet rezultati 17-30. Edhe e treta është thuajse pikë më pikë, por gjithnjë në epërsi skuadra e Çarçanit, 15-19 dhe në total 32-49. Gradualisht Tirana Eagles nis të fiket, aq sa në një moment të pjesës së katërt, rezultati i pjesshëm ka qenë 2-21 për Superiorin. Dhe në fund, trepikëshi i Shushkut ka vulosur rezultatin përfundimtar 6-28 dhe në total 38-77.
Në përfundim Superiori vijon të jetë pretendent së bashku me Elbasanin dhe Ardhmërinë Basket për t’u ngjitur në Superligën e Kampionatit Kombëtar të Basketbollit për meshkuj, ndërsa Tiranan Eagles duket se ka bërë skuadër sa për të lënë pas në renditje Skënderbeut. Sepse, ndoshta mbetet për t’u parë, me tre skuadrat e kreut përsëri do ta ketë të vështirë dhe ka shumë diferenca.
Tirana Eagles – Superior 38-77
(6-12, 11-18, 15-19, 6-28)
Tirana Eagles: Vogli (4), Prodani (5), Gorellari (3), Tufa (4), Kala (2) / Adili, Skëndaj (1), Bilbili (1), Çaçi (16), Zelaj (2), Nallbani. Trajner: K. Dedaj
Superiori: Qilimi (5), Troja (10), Shushku (10), Pregja (13), Shytaj (4) / Ferra, Gjeçi (15), Beqo (10), Jareci (5), Shehi (3), Dedaj, Qeleshi (2). Trajner: E. Çarçani
Gjyqtarë: E. Hoxhaj (Vlorë), O. Kasmi (Tiranë)
Kampionati Kombëtar
i Basketbollit – Meshkuj
Kategoria e Parë
Java e 11-të
(27-28 shkurt 2016)
Të shtunën:
Skënderbeu – Elbasani 60-80
Ardhmëria Basket pushim
Të dielën:
Tirana Eagles – Superior 38-77
Renditja
Nr. Skuadra N. F. H. Psh-Pp Pikë
- Elbasani 9 7 2 712-544 16
- Ardhmëria 8 7 1 560-375 15
- Superior 9 6 3 635-468 15
- Skënderbeu 9 1 8 465-615 10
- Tirana Eagles 9 1 8 411-654 10