Gjergj Vyshka 05.10.2015 12:05
Superior Klima jo vetëm që është treguar superiore në parket ndaj kundërshtarit që ka pasur përballë, por ka treguar “dhëmbët” si një pretendente serioze për të qenë vitin e ardhshëm në Kategorinë Superiore. Nuk është thjesht çështja e fitores së djeshme me “Tirana Eagles”, me një diferencë prej 28 pikësh ndaj një kundërshtari më shumë se të dobët në të gjitha gjërat. Por se skuadra e trajnerit Eduard Çarçani ka treguar aftësitë teknike të një basketbolli bashkëkohor dhe përgatitjen e mirë fizike.
Aq sa në disa raste kanë qenë tre me një lojtar të kundërshtarit përballë koshit të “Tirana Eagles”. Superior Klima ishte një skuadër që nuk mbështetej tek një individ, por në lojën në grup arrin të mbrojë dhe të sulmojë e më pas dhe të fitojë. Dhe shpërndarja e pikëve, ndërsa pesëshja ka shënuar mbi gjysmën e pikëve të totalit, flet më shumë se çdo gjë tjetër. Superiori e ka nisur me diferenca të mëdha në fushë, ndërsa është shkëputur që në fillim në 11-0.
E kjo epërsi ka ardhur duke u thelluar në 9-21 në fund të pjesës së parë e më pas 17-40 në përfundim të pjesës së dytë, kur dhjetëminutëshi i dytë është fituar nga Superiori 8-19. Ajo që ishte pozitive dje ishte Superiori nuk u konsumua me gabime personale, sepse e kishte aftësinë për t’ia rrëmbyer topin kundërshtarit nga duart dhe për të luajtur kundërsulmin. Edhe pjesa e tretë është përsëri për Superior Klimën, 13-22 dhe, në total, 30-62.
Kjo më pas është shfrytëzuar nga Çarçani për t’i dhënë mundësinë edhe stolit të aktivizohet. “Tirana Eagles” u përpoq, por duket se ka më shumë nevojë për përgatitje cilësore për të qenë në nivelin e përballjeve me kundërshtar të tjerë. Sepse është e sigurt që nuk të fal as Elbasani e Ardhmëria Basket, por as Skënderbeu, që të shtunën ishte mundur me 30 pikë diferencë në fushën e vet nga verdheblutë e Arben Xhyrës. Në total një ndeshje pa rivalitet, që Superior Klima e kthen në një seancë stërvitore, sepse i tillë ishte niveli i “Tirana Eagles”
Tirana Eagles – Superior Klima 40-68
(9-21, 8-19, 13-22, 10-6)
Tirana Eagles: Zelaj, Veli (4), Tufa (2), Zhullima (4), Prodani (14) / Adili, Ambo (6), Dashi, Shehu (2), Branko (6), Halilaj (2). Trajner: K. Dedaj
Superior Klima: Qilimi (10), Pregja (14), Shytaj (4), Vogli (7), Beqo (15) / Qeleshi (3), Gozhdari (9), Pina (1), Shushku, Ferraj (5), Dedaj, Hysa. Trajner: E. Çarçani
Gjyqtarë: M. Kasëmi (Vlorë), A. Bejko (Tiranë)
Kampionati Kombëtar
i Basketbollit – Meshkuj
Kategoria e Parë
Java e parë
(3-4 tetor 2015)
Të shtunën:
Skënderbeu – Elbasani 57-87
Pallati i Sportit “Tamara Nikolla”, Korçë
Të dielën:
Tirana Eagles – Superior Klima 40-68
Ardhmëria Basket pushim
Renditja
Nr. Skuadra N. F. H. Psh-Pp Pikë
- Elbasani 1 1 0 87-57 2
- Superior Klima 1 1 0 68-40 2
- Tirana Eagles 1 0 1 40-68 1
- Skënderbeu 1 0 1 57-87 1
- Ardhmëria Basket 0 0 0 0-0 0