AlbanianSport.com 11.01.2017 07:55
ASNN – SIGAL Prishtina e ka humbur pas kohës shtesë ndeshjen me Beroe Stara-Zagorën, të zhvilluar në kuadër të Grupit A të Ligës Ballkanike të Basketbollit për Meshkuj. “Plisat” u mposhtën në shtëpi, duke u dorëzuar me rezultatin 86-94 përballë ekipit bullgar.
Lojtari më i dalluar i vendasve ishte Drilon Hajrizi që realizoi 26 pikë, por, që, më pas, me 5 gabime teknikë, u përjashtua nga loja dhe nuk ndihmoi ekipin në 5 minutat shtesë. Me humbjen e pësuar, SIGAL Prishtina, fituese në fuqi e kësaj lige rajonale, arrin në kuotën e 9 pikëve, pas dy fitoreve dhe 5 humbjeve.
Megjithatë, me humbjen e mbrëmshme ndaj Beroe Stara-Zagorës, SIGAL Prishtina duket se ka dalë jashtë lojës për t’u kualifikuar për në turin e dytë të Ligës Ballkanike, ndonëse ka dhe 3 ndeshje për të luajtur. Bullgarët kanë fituar në kohën shtesë në Pallatin e Sportit dhe Rinisë në Prishtinë, 94-86 (20-23, 28-13, 17-27, 16-18/13-5).