Gjergj Vyshka 06.05.2016 14:35
Dy pjesët e para të Superkupës së Shqipërisë në basketboll për meshkuj janë në favor të Vllaznisë, e cila ka fituar të parën 10-15. Për t’u evidentuar është fakti se me përjashtim të Gjokës, që ka shënuar një trepikësh, tek pjesa tjetër e skuadrës ka ngushtim të koshit. Sepse qoftë Birçaj, qoftë Hamati, apo dhe Karaj e kanë pasur të vështirë të shënojnë. Parë kështu Muhametaj vendos të ulë në stol Birçajn dhe të fusë Roshin, i cili ka një përqindje më të saktë në gjuajtjet e tij.
Në krahun tjetër Alen, Gjonaj, Faslija, Berdica e Xhokoviç bëjnë gjithçka mirë e duke shtuar dhe Arrën, Vllaznia duket sikur e ka vënë në udhëheqje ndeshjen. 19-19 është pjesa e dytë dhe në pushim shifrat totale të rezultatit kanë shënuar 29-34 për shkodranët. Edhe fillimi i pjesës së tretë është për Vllazninë, që ka udhëhequr deri në 39-41. Atëherë kur të gjithë nuk e prisnin ka dalë në skenë përvoja e Erkand Karajit. Një “bombë” me vlerën e 3 pikëve dhe Kamza Basket është për herë të parë në epërsi 42-41.
Skuadra çlirohet dhe ka dhe spektakël, veçanërisht në gjuajtjet për 3 pikë të Shestanit, apo dhe në goditjet e Roshit, Fjollës dhe Hamatit. Vllaznia nis të ngarkohet me personale dhe i pari që lë fushën me 5 gabime personale është Faslija. Dy faulla radhazi ndaj amerikanit Alen nga ndërkombëtari Erjon Hoxhaj, gjë që e kanë detyruar lojtarin të lërë fushën e lojës me pesë gabime, ka acaruar shkodranët, që përsëri gjithçka ia kanë dedikuar gjyqtarëve.
Madje dhe në ceremoninë e dorëzimit të kupës, teksa Presidenti i Federatës Shqiptare të Basketbollit, Avni Ponari, anëtari i kryesisë Ilir Taflaj dhe Sekretari i Përgjithshëm i Federatës Shqiptare të Basketbollit, Korab Llazani, jepnin dorën lojtarëve ka pasur akuza nga Arra, që ka shënjestruar gjykimin: Bravo gjyqtarët. Përfundimisht, përtej ndonjë afrimi momental të Vllaznisë, Kamza Basket nuk është ndalur, por ka fituar dhe Superkupën e Shqipërisë duke hedhur kandidaturën për titull kampion.
Kamza Basket – Vllaznia 67-64
(10-15, 19-19, 24-15, 14-15)
Kamza Basket: Hamati (14), Karaj (10), Birçaj (1), Shestani (19), Gjoka (3) / Roshi (15), Fjolla (5). Trajner: A. Muhametaj
Vllaznia: Alen (15), Berdica (10), Faslija (6), Xhokoviç (5), Gjonaj (19) / Arra (9), Ndoja. Trajner: B. Gjeçaj
Gjyqtarë: G. Cici, E. Koçi (Tiranë), E. Hoxhaj (Vlorë)