AlbanianSport.com 10/10/2018 18:10
ASNN – Sezoni aktual i Kampionatit Kombëtar të Basketbollit, si për femra, por sidomos për meshkuj, ka nisur përkundër një sfondi me probleme financiare të disa prej skuadrave, edhe pse është luajtur vetëm java e parë. Kështu, më së fundi, skuadra e Vllaznisë në basketboll për meshkuj ka bojkotuar seancën stërvitore. Kuqeblutë rrezikojnë që të mos shkojnë as në ndeshjen e radhës, e cila luhet me Teutën në Durrës.
Shkodranët humbën ndeshjen e parë me Goga Basket në pallatin e sportit “Qazim Dervishi” dhe pas sfidës së parë të sezonit, Vllaznia përballet me probleme serioze. Arsyesja për bojkotimin e seancës stërvitore nga basketbollistët e Vllaznisë është bërë pagesa e ulur sipas tyre e trajtimit ushqimor mujor. Sipas basketbollistëve dhe trajnerit/lojtarit të ekipit Fatjon Taraboshi, ata do vazhdojnë bojkotin e stërvitjes në rast se ky problem nuk zgjidhet.
Aktualisht, sipas lojtarëve dhe trajnerit trajtimi mujor ushqimor është 175 mijë lekë të reja, ndërsa ekipi kërkon që kjo shumë të rritet në 250 mijë lekë të reja. Në rast se kjo shumë nuk rritet sipas kërkesës së skuadrës shkodrane, atëherë i bie sipas pretendimeve të tyre që disa basketbollistë të Vllaznisë jo vetëm që të mos paguhen fare, por edhe të shkojnë në ndeshje me paratë e tyre.
Ata nuk pajtohen me këtë situatë, ndaj edhe kanë bojkotuar seancën stërvitore, e parashikuar për t’u zhvilluar në orën 18:00 të 9 tetorit, pra pasditen e djeshme. Pak minuta përpara stërvitjes, e cila nuk u zhvillua, trajneri Taraboshi dhe kapiteni i Vllaznisë, Damian Bekteshi, zhvilluan një bisedë me drejtorin e “Sport Klub Vllaznia”, Mark Kroqi, duke ndarë shqetësimin e tyre.
Pasi drejtori Kroqi bëri sqarimin e tij dhe pasi basketbollistët nuk e zhvilluan stërvitjen, ai dha versionin e tij, duke thënë se shtesa prej 50 mijë lekë të rinj që kërkojnë basketbollistët në trajtimin ushqimor mujor do të realizohet, ndërsa nuk ngurroi të përmendë se kjo situatë ka ardhur edhe nga rezultatet e dobëta të ekipit dhe largimit e tre basketbollistëve nga skuadra.