AlbanianSport.com 02/03/2024 20:00
ASNN – Në fjalimin hapës në konferencën për shtyp e mbajti Presidenti i Federatës Shqiptare të Basketbollit (FSHB), Avni Ponari, i cili u shfaq entuziast për marrëveshjen dhe për hvillimin e Ligës Unike në Vlorë. “Kemi zgjedhur për ta bërë këtë konferencë shtypi në këtë vend, sepse pikërisht këtu në fushën “Sigal” është nënshkruar edhe marrëveshja e parë dhe historike e themelimit të Ligës Unike”, – ka thënë ai fillimisht.
“Përfitoj nga rasti për të falënderuar të gjitha ekipet pjesëmarrëse, skuadra të cilat kanë bërë të mundur edhe zhvillimin e këtij aktiviteti, – ka vijuar kreu i organizmit që qeveris koshin shqiptar. – Besoj që do të kemi një garë shumë të bukur në Vlorë, që është qyteti organizator i këtij eventi të rëndësishëm. Dua të falenderoj presidentin e Grupit “Lajthiza”, që do të jetë edhe sponsori gjeneral i Ligës Unike.”
“Ky sport zhvillimin e ka nga financimi dhe siç dihet buxhetet e Shqipërisë dhe Kosovës kanë diferenca të mëdha, raporti është 1 me 10, – ka pohuar Ponari. – Unë u uroj të gjitha ekipeve të na japin një garë të bukur.” Më tej, ai foli edhe për gjykimin, duke njoftuar se Liga Unike “Lajthiza” do të ketë asistencën e drejtorit të FIBA-s për gjyqtarët, kroatit Davorin Nakiç.
“Gjyqtarët këtë herë do të jenë në një vëzhgim gjatë të gjithë garave nga drejtori Nakiç, i cili do të ndihmojë natyrisht edhe me zhvillimin e disa klinikave, duke qenë një shtysë edhe më e madhe për gjyqtarët tanë. Gjykimi në Shqipëri kohët e fundit ka një ndryshim shumë të madh dhe pozitiv”, – përfundoi Presidenti i Federatës Shqiptare të Basketbollit (FSHB), Avni Ponari.