AlbanianSport.com 11/11/2018 18:25
ASNN – Pak ditë më parë klubi i basketbollit të meshkujve të Vllaznisë ndryshoi presidentin dhe drejtuesi i ri në vend të Sokol Dibrës është Alban Xhaferi. Menjëherë pas marrjes së detyrës së presidencës së re vjen dhe lëvizja e parë interesante, që ka të bëjë me trajnerin e ri të skuadrës së koshit shkodran.
Kështu, kroati Nevan Plantak është zgjedhur për të drejtuar shtatlartët kuqeblu në sezonin në vazhdim të Superligës së Meshkujve në Kampionatin Kombëtar të Basketbollit. Trajneri kroat ka mjaft përvojë dhe ka drejtuar shumë skuadra të njohura në Kroaci dhe në disa vende të rajonit.
Madje ai ka pasur një eksperiencë të vyer edhe me skuadrën kosovare të Trepçës, me të cilën ka dalë “kampion” në Kosovë. Duke nisur nga java në vijim ai do të marrë drejtimin e Vllaznisë. Dihet që skuadra është në vështirësi të mëdha, pasi në 6 ndeshje ka regjistruar po aq humbje, duke qenë në vend të fundit në tabelën e renditjes.
Por ardhja e presidentit të ri dhe e trajnerit të ri pritet të sjellë entuziazëm në radhët e skuadrës shkodrane dhe gjërat do të lëvizin në drejtimin e duhur, për ta bërë jo vetëm Vllazninë konkurruese, por për të rritur edhe cilësinë e kampionatit shqiptar të basketbollit.