Gjergj Vyshka 20.01.2016 11:35
Merkatoja e basketbollit të meshkujve në Shqipëri, pavarësisht se zyrtarisht ende nuk ka shkuar asnjë emër për t’u regjistruar në Federatën Shqiptare të Basketbollit, vijon të lëvizë. Pasi ka marrë Partizani, Gozhdarin, Superiori, Trojën, Ardhmëria, Latifin, dhe Eagle (Ticen, Gorellarin, Voglin e Hasën), tashmë kanë nisur të lëvizin dhe skuadrat e kreut në Superligë.
E kështu ka ndodhur me Vllazninë, e cila pasi ka marrë në mesin e kampionatit malazezin Gjokoviç, tashmë dje ka bërë zyrtarisht të vetin amerikanin Kori Alen. 24-vjeçari, edhe sipas Shoqatës së Basketbollit Vllaznia, ka luajtur Florida Bulls në Jug dhe do të jetë një përforcim shumë i rëndësishëm për skuadrën e Bledar Gjeçajt, që kërkon të rikonfirmohet jo vetëm si kampione, por pse jo dhe si fituese e Kupës së Shqipërisë.
Në basketbollin shqiptar vitet e fundit kanë qenë disa amerikanë, të cilët kanë lënë gjurmët e tyre në koshin tonë dhe, kështu shpresohet të ndodh dhe me Alenin tek Vllaznia.