AlbanianSport.com 03.11.2016 09:00
ASNN – Peja dhe SIGAL Prishtina i kanë humbur ndeshjet e tyre të radhës në “Fiba Europe Cup”. Skuadra e KB Pejës është mposhtur nga Gaziantepi me rezultat 75-56, ndërsa ka pësuar kështu humbjen e dytë në këtë veprimtari. Peja e nisi shumë mirë takimin, ku pjesën e parë e mbylli me 3 pikë epërsi 38-35.
Por ata nuk arritën që ta mbajnë këtë ritëm edhe në pjesën e dytë, ku basketbollistët e Gaziantep kishin formë më të mirë dhe në fund fituan me 19 pikë dallim. Ndërkohë, kampionia në fuqi e Kosovës dhe e Ligës Ballkanike, SIGAL Prishtina ka humbur në fushën e BC Enisey me rezultat të ngushtë, 102-101, në kuadër të “FIBA Europa Cup”.
Bardhekaltrit e mbyllën gjysmën e parë me epërsi 10-pikëshe, 50-40. Por, në pjesën e dytë, prishtinasit nuk arritën ta ruajnë epërsinë. Koha e rregullt e takimit përfundoi 87-87 dhe u desh të zhvillohet shtesa për t’u përcaktuar fituesi. Në kohën shtesë, BC Enisey ia doli në mënyrë dramatike, duke e fituar me vetëm një pikë epërsi, 102-101.