Gjergj Vyshka 11.01.2017 16:15
Ajo që bie në sy në ndeshjen Tirana-Karposh Sokoli, të vlefshme për Ligën Ballkanike të Basketbollit të Meshkujve (BIBL), është fakti se vëzhgues do të jetë Bashkim Milo, për herë të parë ndërkombëtar, që kështu rrit vlerat e basketbollit shqiptar.
Që do të thotë se Liga Ballkanike afirmon pas Arben Kaçurrit dhe Bashkim Milon, vëzhgues aktiv në veprimtaritë kombëtare të basketbollit shqiptar, por mbi të gjitha ish-trajner i ekipit kombëtar të femrave, ku mbetet ndër më të spikaturat medaljet e arta në Lojërat Mesdhetare në Latakia 1987.
Ndërkohë, Tirana vijon përgatitjet e saj, ndërsa i ka bërë thirrje shoqatës së tifozëve, “Tirona-Fanatics”, për praninë e tyre dhe hyrje falas në Sallën Sportive “Farie Hoti” në kryeqytet.
Sepse kjo është ndeshja vendimtare e Tiranës për të shpresuar për të shkuar në turin e dytë të Ligës Ballkanike dhe bardhebluve do t’ju nevojitet e gjithë mbështetja e mundshme, sidomos ajo e tifozëve.