AlbanianSport.com 21/10/2018 23:55
ASNN – Është luajtur sonte ndeshja e 3-të dhe e fundit e javës së 3-të të nivelit më të lartë të Kampionatit Kombëtar të Basketbollit për Meshkuj dhe Partizani mbetet i “pamposhtur”, sepse fiton derbin me Tiranën dhe merr kreun e renditjes. Të kuqtë kanë arritur të marrin fitoren e tretë radhazi, pasi mundën me rezultatin 75-55 Tiranën, në ndeshjen e luajtur mbrëmjen e së dielës në Pallatin e Sportit “Asllan Rusi” në kryeqytet.
Loja pati një ritëm të lartë, me aksione shumë të shpejta nga djemtë e Arben Fagut të cilët u treguan më të saktë në sulm dhe me një Tiranë që u penalizua nga gabimet e shumta të bëra në mbrojtje. Pjesa e parë foli për të kuqtë kryeqytetash, që e fituan atë me 7 pikë epërsi, 19-12. Edhe pjesa e dytë nuk kishte shumë ndryshime nga ajo e para, me vendasit më cinikë në lojën e tyre.
Miqtë nuk ishin në gjendje që t’i kundërpërgjigjeshin sulmit të shpejtë të kundërshtarëve dhe gabimet e shumta në mbrojtje ndihmuan Partizanin që të thellonte diferencën në 41-27.Pas pushimit të madh midis dy gjysmave, Tirana përpiqet të ndryshojë diçka dhe në lojë futet vetëm trajneri/lojtar Erkand Karaj, i cili prej pak javësh ka marrë edhe drejtimin e stolit të Tiranës.
Pavarsisht një përmirësimi në lojë nga bardheblutë, kundërpërgjigja vjen shpejt nga rivalët e kuq, dhe të besuarit e trajnerit Arben Fagu e fitojnë edhe pjesën e tretë, duke kryesuar 57-49. 10 minutat e fundit shënuan kulmin e lojës nga të dy ekipet në këtë derbi kryeqytetas, megjithatë Partizani tregohet më këmbëngulës duke marrë kështu fitoren e tretë radhazi në kampionat.
Kampionatit Kombëtar
i Basketbollit – Meshkuj
Superliga
Java e 3-të
Të premten:
Vllaznia – Kamza Basket 70-75
Të shtunën:
Teuta – Goga Basket 90-80
Të dielën:
Partizani – Tirana (19:00)
Renditja
Nr. Skuadra Pikë
- Partizani 6
- Teuta 5
- Goga Basket 5
- Kamza Basket 4
- Tirana 4
- Vllaznia 3