AlbanianSport.com 17.01.2017 17:35
ASNN – Dy basketbollistët amerikanë, Derrëll Palmer dhe Xhoshua Frilav, kanë mbërritur në Shkodër dhe janë prezantuar zyrtarisht me bluzën e Vllaznisë. Palmeri thotë se ka dëgjuar për Vllazninë se është një skuadër pretendente dhe se ka ardhur me dëshirë për të luajtur për kuqeblutë.
“Kam zgjedhur që të vij te Vllaznia sepse është një skuadër shumë e mirë, – ka thënë ai, duke folur pas prezantimit në Pallatin e Sportit “Qazim Dervishi” të Shkodrës. – Më pëlqen që të luaj në Evropë. Kam luajtur edhe më përpara në këtë kontinent dhe është mirë.”
“Vllaznia është një skuadër me basketbollistë cilësorë dhe shpresoj që të gjithë bashkë të bëjmë më të mirën për të arritur objektivat që ka Vllaznia, – ka vijuar amerikani. -Natyrisht që jam këtu për të fituar titullin “kampion” dhe besoj se kemi për t’ia arritur qëllimit. Më kanë pritur mirë dhe ndihem mirë.”
“Shpresoj që të tregoj vlerat që kam dhe të kontribuoj sadopak për ekipin tim, – ka vijuar njëri nga 3 përforcimet amerikane të Vllaznisë. – Nuk e di ende se si është basketbolli në Shqipëri, por sido që të jetë do mundohem që të ambientohem sa më shpejt dhe të realizojmë atë çfarë kërkohet te Vllaznia.”