AlbanianSport.com 28.10.2014 22:35
ASNN – Për herë të parë në 7 edicionet e Ligës Ballkanike në basketboll për meshkuj, një ndeshje nuk zhvillohet, për shkak se nuk punon tabela elektronike. Kështu ka ndodhur sonte në Pallatin e Sportit “Qazim Dervishi” në Shkodër, në ndeshjen Vllaznia-Mornari i Tivarit. Për mosfunksionimin e orës elektronike, kuqeblutë e Shkodrës e kanë humbur ndeshjen në tavolinë 0-20.
E turpshme por e vërtetë! Në Pallatin e Sportit “Qazim Dervishi” në Shkodër, nuk punon tabela elektronike. Për këtë arsye, Vllaznia në basketboll për meshkuj, ka humbur ndeshjen në tavolinë me Mornarin e Malit të Zi, 0-20, ndeshje kjo e vlefshme për Ligën Ballkanike. Tepër i indinjuar ka qenë edhe Drejtori i Përgjithshëm i Ligës Ballkanike, Shej Striks.
“Në kohët moderne, që një ndeshje të luhet, duhen pajisjet elektronike, sepse duhet matur 24-sekondëshi dhe koha e lojës, – ka deklaruar ai. – Në rast të kundërt ndeshja nuk zhvillohet. I kërkova klubit organizator, që të përdoreshin pajisjet e vjetra, por edhe ato nuk ishin gati. Me keqardhje them se klubi shkodran nuk ishte gati nga ana organizative për ta zhvilluar këtë takim.”
“Për më tepër, kur reklamat ishin vendosur dhe transmetimi ishte drejtpërdrejt, – ka vijuar ai. – Të gjitha këto janë shpenzime. Për çfarë ndodhi jam tepër i zhgënjyer. Ndeshja është mbyllur 20-0 në favor të Mornarit dhe nuk mund të riluhet më. Të paktën klubi i Vllaznisë të marrë masa për tri ndeshjet e tjera që do të zhvillohen në Pallatin e Sportit “Qazim Dervishi”.”
Tashmë duket se ëndrra për t’u kualifikuar më tej në Ligën Ballkanike për Vllazninë ndërlikohet mjaft. Ekspertët janë munduar me minuta të tëra për të rregulluar këtë anomali, por përpjekjet e tyre nuk dhanë asnjë rezultat duke bërë që gjyqtarët e ndeshjes të vendosnin humbjen e skuadrës shkodrane. Treshja e gjyqtarëve grekë dhe bullgarë i dhanë 60 minuta kohë klubit shkodran që të rregullonte tabelën elektronike.
Ata kanë thyer në një farë mënyre edhe rregulloren e basketbollit, në bazë të së cilës koha që i jepet organizatorit për të kthyer gjithçka në normalitet dhe për të nisur ndeshjen është vetëm 15 minuta. Një skandal ky për basketbollin shqiptar dhe klubin e Vllaznisë në veçanti, i cili nuk arriti të entuziazmojë tifozët shkodranë në rikthimin e tij pas 10 vjetësh në Ligën Ballkanike.