AlbanianSport.com 11/01/2024 21:20
ASNN – Veprimtaria e dytë e basketbollit të meshkujve, Kupa e Shqipërisë në koshin e meshkujve ka nisur tashmë rrugëtimin e këtij sezoni, teksa do të zhvillohen ndeshjet e fazës së saj paraeliminatore. Kështu, duke qenë se në Kampionatin e këtij sezoni, që zhvillohet me një kategori të vetme me 11 ekipe, 7 prej tyre, që u renditën në mbyllje të fazës së parë nga vendi i parë në të 7-tin, kualifikohen automatikisht për në çerekfinale. Këto skuadra janë Besëlidhja, Kamza Basket, Tirana, Vllaznia, Teuta, Apolonia dhe Flamurtari.
Ndërsa 4 ekipet që u renditën nga vendi i 8-të, në të 11-tin, zhvillojnë midis tyre një fazë paraeliminatore, për të përcaktuar se cila do të jetë skuadra që merr biletën e fundit për në çerekfinale të Kupës së Shqipërisë. Kështu, të mërkurën, më 10 janar 2024, u luajtën dy gjysmëfinalet e kësaj faze, aty ku Elbasani i vendit të 8-të u përball me Skënderbeun e vendit të fundit, atë të 11-të, në takimin që zhvilluar duke nisur nga ora 17:00 në Pallatin e Sportit “Tomor Sinani”.
Në një ndeshje të luftuar, vendasit kanë fituar me rezultatin 109-105, duke vijuar për më tej. Ndërsa duke nisur nga ora 18:30, Partizani i vendit të 9-të është përballur me Fieri Basketin e vendit të 10-të, në ndeshjen që u luajt në Pallatin e Sportit “Asllan Rusi” në kryeqytet, në takimin që u fitua nga të kuqtë me shifrat 74-70. Ndërkaq, të premten, duke nisur nga ora 19:00, fitueset e këtyre dy çifteve, pra Elbasani dhe Partizani, do të përballen me njëra-tjetrën në sfidën finale. Dueli që do të përcaktojë se cila skuadër do të shkojë në çerekfinale, ishte përcaktuar më herët që do të luhej në fushën e skuadrës që do të dilte fituese në duelin Elbasani-Skënderbeu, pra, në Pallatin e Sportit “Tomor Sinani” në Elbasan.