Gjergj Vyshka 26.05.2016 08:45
Duket se ka ndryshuar plotësisht rrjedha e historisë në basketbollin e meshkujve të Shqipërisë, atje ku Teuta e Durrësit nuk është më rastësi, por një kandidate potenciale për titull “kampion”. Dhe këtë e ka vërtetuar dje në mbrëmje, teksa në një Pallat Sporti “Ramazan Njala” të mbushur si rrallëherë, plot, ka ditur të triumfojë përballë Vllaznisë.
Pjesa e parë e fituar nga Vllaznia 16-19, por dhe epërsia e shkodranëve në fund të pjesës së dytë 34-37, kur ky 10-minutash është ndarë në barazim 18-18, krijojnë përshtypjen se kuqeblutë e trajnerit Bledar Gjeçaj, e kanë futur në rrugë të mbarë fitoren.
Por Teuta shpërthen në pjesën e tretë. Fiton 30-18 dhe përmbys në 64-55. Një epërsi që ka ardhur duke u thelluar edhe në pjesën e katërt, që Teuta e ka fituar 25-21 dhe krejt ndeshjen 89-76. Kësisoj ashtu sikurse dhe për femra, edhe për meshkuj po shkohet drejt një dueli me pesë ndeshje për të përcaktuar kampionen e Shqipërisë për sezonin 2015-2016.
Pikëshënuesit më të mirë të ndeshjes ishin, për Teutën, Bruno Daliu me 28 pikë dhe Marsel Aliaj me 24 pikë, dhe, për Vllaznisë, amerikani Kori Alen, me 30 pikë.
Teuta – Vllaznia 89-76 (1-1)
(16-19, 18-18, 30-18, 25-21)