Gjergj Vyshka 20.12.2015 21:35
Vetëm kur tre lojtarë të Elbasanit janë ndëshkuar me gabime teknike, Skëndaj, Çela dhe Leka për protesta, atëherë bardheblutë e Tiranës kanë nisur të shpërthejnë derisa kanë fituar me 17 pikë diferencë, 92-75.
Për t’u evidentuar breshëria e ofendimeve ndaj gjyqtarëve nga një tifoz i Tiranës. Ndërkohë ndeshja ka nisur me vonesë, sepse gjyqtarët kanë kërkuar forcat e rendit, të cilët kanë mbërritur diku nga mesi i pjesës së parë.
Dhe vetëm pasi ka ardhur siguria nga shefi i klubit shumësportësh “Tirana”, Pirro Koleka, ndeshja ka nisur. Por një hall më vete jo vetëm për shefin e klubit shumësportësh bardheblu Koleka, që dje është detyruar të bëjë edhe policin, por dhe për stafin teknik të Tiranës, ka qenë një tifoz.
Breshëria e tij e ofendimeve ndaj gjyqtarëve Kasemi dhe Bejko ka qenë gjatë gjithë ndeshjes, ndërsa ka qenë e vështirë për ta qetësuar edhe kur në fillimin e lojës ka shkuar ndihmëstrajneri Selmani, apo dhe kapiteni Lasku.
Megjithatë në fund, përtej këtyre problemeve, të gjithë janë ndarë paqësisht dhe Tirana e ka marrë kualifikimin për në gjysmëfinale.