AlbanianSport.com 04.09.2015 19:00
ASNN – Nën drejtimin e trajnerit Adem Muhametaj, Kamza Basket në basketboll për meshkuj vijon përgatitjet në kuadër të sezonit të ri sportiv. Gjatë kësaj faze janë testuar shumë të rinj, të cilët mund t’i bashkëngjiten ekipit të parë. Gjithashtu, në provë janë afruar edhe mjaft basketbollistë që vijnë nga skuadra të tjera.
Sipas stafit teknik, qëllimi është që të krijohet një grup kompakt, ku të ketë ndërthurje ndërmjet lojtarëve me përvojë dhe elementëve të rinj. Basketbollistët e afruar në këtë fazë përgatitore shprehen të kënaqur jo vetëm për punën e bërë, por edhe për kushtet në të cilat zhvillohet stërvitja.
Ndihmesë të madhe po jep edhe basketbollisti me shumë përvojë, njëherësh kapiteni i ekipit, Erkand Karaj. Po ashtu edhe mbështetja e Bashkisë së Kamzës dhe e kryebashkiakut Xhelal Mziu nuk ka munguar. Siç shprehet edhe trajneri Muhametaj, ekipi Kamza në basketboll do të përfaqësohet denjësisht në sezonin e ri.
“Talentet nuk mungojnë. Po bëhet një punë e madhe nga të gjithë komponentët, ndaj pritet që të merren frytet. Edhe në ekip ekziston një frymë entuziaste ndërmjet basketbollistëve në këtë pragfillimi të kampionatit”, – ka përfunduar trajneri i ekipit të Kamza Basket.