AlbanianSport.com 16.04.2015 13:45
ASNN – Studenti në basketboll për meshkuj nuk heq dorë nga shpresat për t’iu bashkuar vitin tjetër Superligës së Kampionatit Kombëtar të Basketbollit për Meshkuj. Kryeqytetasit e drejtuar nga trajneri Henri Moja, e kanë baraspeshuar serinë e “play out”-it në 1-1 pas fitores së arritur në ndeshjen e dytë ndaj Flamurtarit, me rezultatin e përgjithshëm 67-58.
“Tashmë kemi hyrë në lojë për Superligë, – ka deklaruar trajneri i ri, Moja, duke folur për mediat sportive në prag të ndeshjes së tretë dhe vendimtare, që do të luhet në Vlorë. -Në ndeshjen e parë u ndje mjaft mungesa e Lames dhe me rikthimin sot të tij në fushë u bë diferenca. Ai kontribuoi mjaft me përvojën e tij në ndihmë të grupit që është realisht i ri në moshë.”
Në fakt, ndeshja e dytë nisi e ekuilibruar dhe e tillë mbyllet pjesa e parë, me epërsinë minimale të kryeqytetasve, 17- 16. Vlonjatët reagojnë në pjesën e dytë, duke e fituar atë 17-14 dhe duke shkuar në pushim të ndeshjes me epërsin 33-31. Por skuadra vendëse nuk dorëzohet dhe vendos fatet e ndeshjes në pjesën e tretë. Studenti i Mojës shkëputet deri në +10 pikë dhe më pas administron me qetësi deri në fund takimin.
Krejt ndeshja përfundon 67-58 në favor të Studentit dhe tashmë fatet e sezonit do të përcaktohen në vizitën vlonjate më 17 prill 2015. Në fakt, Flamurtari e pati mundur Studentin me rezultatin 56-40, në ndeshjen e parë, duke hedhur kështu një hap drejt qëndrimit në nivelin më të lartë të koshit shqiptar. Por në ndeshjen e dytë kanë qenë kryeqytetasit që kanë dëshmuar se nuk kanë ndërmend ta humbin lehtë betejën për vendin midis më të mirëve
Siç dihet, Flamurtari u rendit në vendin e parafundit të Superligës, ku Apolonia u rendit e fundit dhe zbriti një kategori më poshtë. Ndërsa Studenti u rendit i dyti në Kategorinë e Parë, ku Teuta e mbylli në krye dhe fitoi automatikisht të drejtën për t’u ngjitur në Superligë. Në bazë të formulës së miratuar në fillim, e 5-ta e Superligës përballet në një duel shtesë prej 3 ndeshjesh me të dytën e Kategorisë së Parë.