“Është një ndryshim shumë i madh nga ndeshja që fituam në Durrës me këtë të sotmen (djeshmen) në Shkodër, – ka pohuar trajneri i Teutës, Nikola Milatoviç, pas humbjes në ndeshjen e tretë me Vllazninë. – Unë kam pasur frikën e raportit të lojtarëve të mi me publikun.”
“Lojtarët e mi dëgjonin më shumë publikun se sa mua dhe kjo u reflektua pastaj në rezultat, – vijoi malazezi. – Edhe pse nuk dua t’ia heq meritat Vllaznisë, e cila ka bërë një ndeshje shumë të mirë dhe e ka merituar plotësisht fitoren, nuk do të merrem me gjëra të tjera vetëm me ekipin tim.”
“Kemi luajtur shumë dobët, kemi luajtur ndeshjen më të dobët, ndoshta jam unë fajtor për këtë diference të madhe pikësh, – ka reflektuar Milatoviç. – Por doja t’i jepja një mundësi më shumë lojtarëve të rinj rezervë që të luajnë edhe ato duke i dhënë një shans edhe atyre që të provojnë finalen e titullit.”
“Sigurisht që nuk është një gjë e mirë të humbësh me këtë lloj diference, sidomos në finale të tilla, – ka theksuar trajneri i durrsakëve. – Sigurisht që në ndeshjen e ardhshme në Durrës do të ketë patjetër ndryshime. Jemi 2-1. Mund t’ju them se nuk jemi dorëzuar nga pretendimet tona për titullin “kampion”, ndaj do të bëjmë të pamundurën në ndeshjen e ardhshme.”.