Gjergj Vyshka 18.09.2016 09:45
Manuel Xhonson, ish-basketbollisti i Teodos në Malin e Zi, vetëm 32 vjeç është përforcimi i radhës për bardheblutë në prag të pjesëmarrjes në Ligën Ballkanike. Ai është pritur të premten në aeroportin “Nënë Tereza” të Rinasit nga menaxheri i përgjithshëm i Klubit Shumësportësh “Tirana”, Anxhelo Koleka.
Ky i fundit ka qenë i pari që i ka bërë ofertën këtij lojtari, ndërkohë që është duke drejtuar dhe merkaton e bardhebluve, së bashku dhe Melzin Lazimin. “Ofertën ia kam bërë unë në emrin e Tiranës”, – thotë Koleka për “Sport Ekspres”, ndërsa së bashku me Xhonson shihte ndeshjen e kombëtares së meshkujve, Shqipëri-Sllovaki.
“Dhe më vjen mirë që e ka pranuar, – ka vijuar ai. – Më duhet të falënderoj dhe nën emrin e klubit “Tirana” edhe Bashkinë e Tiranës, për gjithçka që po na jep jo vetëm për pjesëmarrjen në Ligën Ballkanike, por për të gjithë mbështetjen e shumësportëshit bardheblu”.
E ndërkohë të hënën do të vijnë dhe dy specialistë të Ligës Ballkanike, të cilët do të inspektojnë si Pallatin e Sportit “Asllan Rusi”, ashtu dhe hotelin ku do të akomodohen kundërshtarët e Tiranës.