Nga Gjergj Vyshka 28.02.2015 19:25
Dikur Partizani e Vllaznia kanë qenë rivale të denja për titull “kampion” e për Kupat e Shqipërisë, apo dhe për çdo trofe që vendosej. Aq sa të futeshe në Pallatin e Sportit “Partizani”, sot “Asllan Rusi”, apo në Shkodër, duheshin radhë të gjata e kordone të shumta policie për të kaluar. Po sot? Në Pallatin e Sportit “Asllan Rusi” nuk kanë qenë më shumë se sa 10-15 vetë, që janë numëruar me gishta e dorës.
Jo vetëm kaq, por vetëm dy policë, kamerat e Telesportit dhe drejtuesit e Federatës Shqiptare të Basketbollit e Pingpongut. Këta dy të fundit janë shkodranë e për rrjedhojë e kanë ende nostalgjinë e atyre viteve kur luhej me një pallat të mbushur plot e përplot. Të paktën Korab Llazani, sekretari i përgjithshëm i Federatës Shqiptare të Basketbollit, ish-lojtar i Vllaznisë e ndjen zbrazëtinë e Pallatit të Sportit.
Ashtu sikurse e ndjen në tërësi basketbolli, sepse edhe për shkak të kushteve të mjerueshme në “Asllan Rusi”, por dhe për shkak të nivelit të koshit shqiptar, Partizani-Vllaznia, një duel historik, kalon sikur të ishte një ndeshje e rëndomtë. Por përtej kësaj atmosfere të ftohtë, sikurse ofron salla kryesore e Pallatit të Sportit “Asllan Rusi”, Vllaznia ia ka dalë të jetë fituese me Partizanin.