AlbanianSport.com 07/03/2024 22:45
ASNN – Basketboll, rikthehet Euroliga e koshit. Olimpiakos-Virtus Bolonja erdhi drejtpërdrejt në Rrjetin e RTSH-së. Veprimtaria më prestigjioze e basketbollit kontinental të klubeve, Euroliga e meshkujve, është rikthyer të enjten me takimet e javës së 28-të të sezonit të rregullt. Kështu, Euroliga e basketbollit të meshkujve vijon sezonin e rregullt të saj dhe të enjten janë luajtur 6 prej takimeve të kësaj jave.
Takimi më i spikatur të mbrëmjes ishte ai që është luajtur në Athinë midis Olimpiakosit dhe Virturs Bolonjës. Në fakt, sfida ka qenë e luftuar, me skuadrat që i kushtojnë më tepër vëmendje lojës në mbrojtje, duke mos i lejuar shumë hapësira njëra-tjetrës dhe, për rrjedhojë, 10-minutëshi i parë, është mbyllur me skuadrën mike në epërsi të një pike të vetme, 22-21.
Ai i dyti ka parë skuadrën italiane që të mbizotërojë në parket, duke e fituar atë 24-16, dhe duke shkuar kështu në pushimin e madh midis dy gjysmave duke kryesuar me 9 pikë epërsi, 46-37. Por skuadra greke ka dalë e transformuar nga dhomat e zhveshjeve, duke realizuar plot 20 pikë kundrejt vetëm 5 pikëve të realizuar nga skuadra bolonjeze, e cila, në mënyrë të pashpjegueshme, nuk ka arritur të shënojë dot as edhe një pikë të vetme në 5 minutat e gjysmë në fillimin e këtij fraksioni loje.
Olimpiakosi përmbys dhe kryeson pas një gjysmëore lojë me 6 pikë epërsi, 57-51. Ndonëse skuadra italiane e kapërcen shterpësinë e pikëve dhe arrin ta fitojë 10-minutëshin e 4-t dhe të fundit, 18-17, nuk arrin të përmbysë shifrat dhe Olimpiakosi mund Virtus Bolonjën 74-69 dhe barazohet me të në renditje pas 28 javësh. Tri takimet e tjera të kësaj jave luhen të premten.