AlbanianSport.com 17/10/2018 07:00
ASNN – Teuta merr pjesë për herë të parë në Ligën Ballkanike. Nga Shqipëria më herët kanë marrë pjesë në këtë veprimtari Tirana dhe Vllaznia. Duhet thënë se këtë vit klubi durrsak i basketbollit ka bërë blerje dhe është fuqizuar, enkas për të bërë një paraqitje dinjitoze.Kështu, Teuta do të presë sonte në orën 19:00 skuadrën bullgare Akademik Bulteks, një ndeshje që do të luhet në pallatin e sportit “Ramazan Njala”.
Në këtë veprimtari marrin pjesë 6 ekipe ballkanike, midis të cilave edhe dy skuadra kosovare, Bashkimi i Prizrenit dhe Prishtina. Madje edhe ndeshjen në Durrës do ta gjykojnë një treshe nga Kosova, me arbitër kryesor Daut Mehmeti. Kujtojmë se Liga Ballkanike nuk e ka arritur ende nivelin e një përfaqësimi të gjejë nga vendet e rajonit, madje numri i pjesëmarrësve këtë vit është zvogëluar.
Por kjo veprimtari ka qenë një dritare e mirë për skuadrat shqiptare si në Shqipëri dhe në Kosovë që të përfaqësohen dhe të tregojnë aftëstë e tyre përballë ekipeve me basketboll më cilësor sesa basketbolli shqiptar. Problemi i klubeve tona janë financat dhe ky problem ka kushtëzuar dhe pjesëmarrje të kufizuar. Ndeshja Teuta-Akademik Bulteks do të sillet për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar, në kanalin RTSH Sport, duke nisur nga ora 17:00.