Gjergj Vyshka 31.12.2016 12:15
Basketbollisti i bardhebluve: “Unë jam i bindur që kjo skuadër mund të bëjë gjëra të mëdha dhe nëse kualifikohemi për më tej në Ligën Ballkanike dhe marrim titullin “kampion” jemi në rregull.”
Pasi maqedonasit e MKK Feni Industries kanë fituar me Pejën të mërkurën 90-88, Tirana aktualisht e sheh veten jashtë 4 skuadrave që kualifikohen për në turn e dytë të Ligës Ballkanike të Basketbollit për Meshkuj.
Që do të thotë se do të luhet gjithçka më 17 janar 2017 ndaj Karposh Sokolit në Sallën Sportive “Fahrie Hoti” në kryeqytet dhe, më 25 janar 2017 ndaj Pejës në fushën e kësaj të fundit.
E për këtë qëllim bardheblutë janë duke u stërvitur fort, ndërsa dhe me 31 dhjetor do të stërviten me dy seanca, teksa do të kthehen po në stërvitje më 2 janar. Për gazetën “Sport Ekspres” ka folur Genti Lasku, i cili e sheh Tiranën e tij si një skuadër për t’u mundur.
Por nuk ka harruar të llogarisë dhe Teutën dhe Vllazninë si kundërshtar të rrezikshëm. Ja dhe intervista e tij për “Sport Ekspres”, të cilën AlbanianSport.com jua solli në dy pjesë, dje dhe sot, dhe sot është pjesa e dytë dhe e fundit.
…vijon nga dje
– Le të ndalemi pak te kampionati, Tirana tashmë edhe skuadër rekordesh. Jeni të tillë që nuk llogarisni asnjë kundërshtar?
– Të gjithë meritojnë respekt. Ne përgatitemi për çdo ndeshje të kampionatit, sikur bëmë për Kupën e Shqipërisë, apo dhe për Ligën Ballkanike. Jemi të fortë, po këtë e pranojmë, por dhe kjo e ka një arsye. Grupin e mirë cilësor dhe të bashkuar, si dhe punën e vazhdueshme që bëjmë si skuadër. Ju mbase nuk e dini, por Tirana do të kryejë dy seanca stërvitore edhe me 31 dhjetor. E më pas do ta rinisi punën më 2 janar, ndërsa vlen të përmendet se nuk kemi asnjë ditë pushim.
– Kë shihni rivalin më të fortë në këtë kampionat?
– Tirana gjithmonë ka qenë dhe do të mbetet ekipi për t’u mundur. Ky ekip, ndryshe nga skuadrat e tjera, brenda apo jashtë vendit, e ka bazën tek lojtarët vendës. Megjithatë Teuta dhe Vllaznia, e cila së fundi është duke u përforcuar, duhen marrë seriozisht.
– Ju si ekip mendoni se keni nevojë për përforcime?
– Ne po punojmë, siç thash dhe më sipër, që të përmirësohemi individualisht dhe si grup. Kjo është detyra jonë. Me pjesën tjetër menaxhimi dhe stafi drejtues. Opinioni im personal është që ky ekip mund të bëjë gjëra të mëdha.
– Së fundi, në anën personale i kënaqur me sezonin?
– Unë asnjëherë nuk kënaqem, bashkë me shokët e ekipit kërkojmë gjithmonë maksimumin, edhe pse gjerat vijnë duke u vështirësuar. Mendoj se pikërisht kjo është arsyeja pse gjithçka është e bukur dhe në fund, nëse konkretizohet me kalimin e grupit në Ligën Ballkanike, apo dhe titullin kampion, do të jetë edhe më emocionuese dhe shumë e merituar.