Gjergj Vyshka 30.12.2016 15:15
Basketbollisti i bardhebluve: “Unë jam i bindur që kjo skuadër mund të bëjë gjëra të mëdha dhe nëse kualifikohemi për më tej në Ligën Ballkanike dhe marrim titullin “kampion” jemi në rregull.”
Pasi maqedonasit e MKK Feni Industries kanë fituar me Pejën të mërkurën 90-88, Tirana aktualisht e sheh veten jashtë 4 skuadrave që kualifikohen për në turn e dytë të Ligës Ballkanike të Basketbollit për Meshkuj.
Që do të thotë se do të luhet gjithçka më 17 janar 2017 ndaj Karposh Sokolit në Sallën Sportive “Fahrie Hoti” në kryeqytet dhe, më 25 janar 2017 ndaj Pejës në fushën e kësaj të fundit.
E për këtë qëllim bardheblutë janë duke u stërvitur fort, ndërsa dhe me 31 dhjetor do të stërviten me dy seanca, teksa do të kthehen po në stërvitje më 2 janar. Për gazetën “Sport Ekspres” ka folur Genti Lasku, i cili e sheh Tiranën e tij si një skuadër për t’u mundur.
Por nuk ka harruar të llogarisë dhe Teutën dhe Vllazninë si kundërshtar të rrezikshëm. Ja dhe intervista e tij për “Sport Ekspres”, të cilën AlbanianSport.com jua sjell në dy pjesë, sot dhe nesër, dhe sot është pjesa e parë.
– Tirana që nga dita e djeshme, pavarësisht se Peja është mundur me dy pikë nga MKK Feni Industries, e sheh veten jashtë katër skuadrave të para të grupit B në Ligën Ballkanike. Ecja përpara, apo kualifikimi për në turin e dytë tanimë u vështirësua?
– Që në fillim të pjesëmarrjes sonë në këtë veprimtari kemi menduar që të marrim maksimumin nga vetja jonë. Kështu do të bëjmë dhe tani. Kemi dy ndeshje përpara për të luajtur për të cilat na nevojitet patjetër fitorja. Llogaritë do t’i bëjmë në fund. Nuk presim bamirësi nga askush.
– Kthimi në “Fahrie Hoti” nuk rezultoi i suksesshëm për ju. Çfarë ju pengoi që të vazhdonit me hapin e fitoreve si ndaj Trepçës dhe Pejës?
– Mendoj se lodhja ishte arsyeja kryesore. Këtë e tregoi dhe ndeshja e kampionatit me Teutën, të cilën ne e humbëm me tre pikë. Mos harroi që kemi luajtur 6 ndeshje për 14 ditë dhe kjo nuk është pak.
– Dhe, ndaj Karposh Sokolit, më 17 janar 2017, për “jetë a vdekje”…?
– Ne çdo ndeshje e kemi marrë si të tillë. Ekipi jonë gjithmonë sheh një fitore të mundshme pavarësisht se kë ka përballë. Këtë e kemi treguar, edhe pse jo gjithmonë kemi dalë fitimtarë. Kemi marrë fitore dhe aty ku nuk pritej nga askush.
– E keni nisur sezonin me Petrovskin dhe vazhdoni me Milatoviçin. Si është ambienti dhe çfarë ka ndryshuar realisht tek Tirana?
– Pavarësisht gjithçkaje ne punojmë si klub, si menaxhim, si lojtarë dhe si ekip që gjërat të shkojnë gjithnjë drejt përmirësimit. Jam i bindur që puna e gjithsecilit do të shpërblehet në fund.
Vijon nesër…