Gjergj Vyshka 22.01.2016 07:55
Gjashtë ardhje të reja në skuadër, kurse djali i ish-legjendës së Partizanit në basketboll për meshkuj, Gazmend Çaçit, pas tetë vjetësh me fanellën e kuqe i është bashkangjitur ekipit më të ri. Tirana Eagles dhe Kujtim Çaçi dje në mesditë kanë arritur akordin mes tyre, ndërsa për skuadrën e Klarent Dedajt janë gjashtë përforcime në këtë merkato dimri. Pas Tices, Gorellarit, Voglit, Hasës, tashmë së fundi është bërë pjesë e këtij ekipi dhe Çaç e Deni Xhemali janë bërë pjesë e kësaj skuadre.
Për Tirana Eagles dhe Klarent Dedajn, ky i fundit i rritur në skuadrën e basketbollit të Partizanit, ka qenë një nder i veçantë që Çaçi është bërë pjesë e kësaj skuadre, ndërsa do të mbajë fanellën me numrin 11. “Nuk ishte edhe aq e lehtë për të arritur deri këtu, sepse Partizani për Kujtimin është diçka tej idesë së skuadrës ku luan, – ka theksuar trajneri. – Partizani për Kujtimin do të thotë vazhdimi i traditës familjare, traditë për të qenë përjetësisht atje.”
“Traditë për vazhdimësinë, sepse Kujtimi është djali i legjendës së basketbollit shqiptar, Mjeshtrit të Merituar të Sportit, Gazmend Çaçi, emër i cili do të mbetet i lidhur përjetësisht me “demat e kuq”, – ka vijuar Dedaj. – Megjithatë pas tratativash dhe bisedash të vazhdueshme, stafi i Eagles arriti t’i marrë një “po” që do të thotë për ne si shoqatë e ekip i ri. Vërtetë nuk ishte e lehtë ky pohim, sepse 8 vjet me të kuqtë në basketboll nuk janë pak për të.”
“Kujtimi është i dashuruar me Partizanin, sepse ai është lojtar që në 20 vitet e fundit ka luajtur më shumë se të gjithë në këtë skuadër, – kanë kujtuar më tej në komunikatën e tyre për shtyp drejtuesit e Tirana Eagles Basket. – Tetë sezone rresht dhe me plot 58 pikë në ndeshjet e “play-off”-it, duke fituar 2-1 ndaj Apolonisë, arritën ta ngjisin Partizanin një kategori më lart. E Partizani, për faj të shumëkujt vazhdon të notojë në ujëra të turbullta.”
“Dhe pa Kujtimin e pa ndihmën e rolit të tij në ekip ndodhet në një situatë të vështirë, teksa është në vendin e fundit në renditje pa asnjë fitore në Superiore. Kujtim Çaçi do të mbajë zyrtarisht numrin 11 dhe shoqata Tirana Eagles Basket dhe ekipi i tij është shtëpia e tij e dytë. Shpresojmë që së bashku të ecim mirë dhe mbarë duke punuar dhe duke u stërvitur për një skuadër kompetitiv, sidomos për sezonin e ardhshëm”, – ka përfunduar komunikata e “Tirana Eagles Basket”.