Gjergj Vyshka 26.11.2014 08:50
Shkërmoqet Vllaznia, Kozuvi e bën “baltë” parketin shkodran. Vendësit kanë treguar dhe një herë se janë të pafuqishëm për të përballuar ndërkombëtarët. 36 pikë diferencë fitorja e maqedonasve, humbja më e thellë e kuqebluve në Ballkan. Maqedonasit e kanë nisur me pjesën e parë pas koshit me vlerën e dy pikëve të Albijaniçit. Por janë kundërpërgjigjur shkodranët me Pajoviçin dhe barazim 2-2. Mirëpo dy kosha të saktë të Kozuvit, me anë të Pekoviçit dhe Albijaniç e shkëpusin skuadrën maqedonase deri në 4 pikë diferencë 2-6.
Shkurton Vllaznia. Por vetëm kaq. Miqtë nisin ofensivën e tyre, ndërsa janë shkëputur deri në 9 pikë diferencë. Dhe e kanë ruajtur atë deri në fund të pjesës së parë, e cila ka përfunduar 10-19. E dyta ka nisur me ofensivën e miqve që gradualisht e kanë rritur diferencën e tyre deri në pamundësinë e Vllaznisë për të ngushtuar. 12-27, 12-30 dhe kjo diferencë prej 18 pikësh ka qenë në fund të 10-minutëshit të dytë. Atje ku Kozuvi me rezultatin 40-22 ka shkuar në dhomat e zhveshjes, ndërsa vetëm pjesën e dytë e ka fituar 21-12.
Madje në një moment në pjesën e dytë, Kozuvi është shkëputur deri në 24 pikë diferencë, 14-38. Por gjithsesi edhe pas pushimit Vllaznia nuk ndryshon. Dhe kur fundi i pjesës së tretë ka shënuar diferencën prej 29 pikësh, 34-63, ndeshja praktikisht ka përfunduar, ndërsa Kozuvi e ka fituar këtë 10-minutësh në shifrat 12-23. Në të katërtën maqedonasit edhe duke përdorur lojtarët e stolit vetëm thellojnë. E në fund 52-88 për Kozuvin, kurse Vllaznia, krejtësisht e shkërmoqur në parket, ka pësuar një humbje që e turpëron.
Për t’u evidentuar është fakti se miqtë jo vetëm që e kanë kontrolluar ndeshjen nga fillimi deri në fund, por gjatë lojës kanë shënuar 9 trepikësha. Ndaj Vllaznia duhet të kishte një tjetër paraqitje, të paktën për shikuesit e saj të zjarrtë, që dje përsëri e kanë mbushur plot Pallatin e Sportit “Qazim Dervishi”.
Vllaznia – Kozuv 52-88
(10-19, 12-21, 12-23, 18-25)
Vllaznia: Llazani, Ndoja (4), Pajoviça (14), Saralija (14), Gavraniç (12) / Bekteshi (1), Bërdica (3), Taraboshi (4), Arra. Trajner: B. Gjeçaj
Kozuvi: Albijaniç (8), Bogojev (2), Glavshev (16), Pekoviç (9), Bërshkov (11)/Apostolov, Delev (2), Sepa (12), Jovanov, Janjuseviç (6), Ivelja (13) Trajner: M.Içeliç
Gjyqtarë: O.Jokiç, V.Sundiç, M.Kaludjeroviç (Mali i Zi)
Renditja e grupit B të Ligës Ballkanike
Nr. Skuadra N. F. H. Psh-Pp Pikë
- Kozuv 4 4 0 353-280 8
- Sigal Prishtina 4 3 1 342-308 7
- Mornar 4 2 2 251-253 6
- SCM Krajova 4 1 3 316-336 5
- Vllaznia 4 0 4 183-268 4