Gjergj Vyshka 11.03.2016 07:55
Trajneri: “Do të jap 1,000 % nga vetvetja që të rikthejmë Shqipërinë në cilësinë më të mirë të saj. Kam biseduar me të gjithë lojtarët, që janë treguar të gatshëm, vetëm Ermal Kuqo ka thënë jo për shkak të moshës”
Antonis Kostantinides, trajneri aktual i SIGAL Prishtinës, do të jetë trajneri i ri i kombëtares së basketbollit të meshkujve. Kjo është marrëveshja që dje zyrtarisht është firmosur mes qipriotit dhe presidentit të Federatës Shqiptare të Basketbollit, Avni Ponari, në mjediset e Hotel “Tirana International”.
Madje Kostantinidesi, jo vetëm që ka nisur të flasë e të bisedojë prej kohësh me të gjithë lojtarët e kombëtares shqiptare, të cilët aktivizohen në Evropë e në Amerikë, por dhe e ka zgjedhur ndihmësin e tij.
Ai do të jetë Afrim Bilali, aktualisht trajneri i Ardhmëria Basket, ndërsa sezonin e kaluar ka qenë trajneri i kombëtares së Nën-18-vjeçarëve. E Kostantinides është treguar i hapur dhe për të tjerë bashkëpunëtorë në të mirë të ecurisë së kombëtares shqiptare.