Gjergj Vyshka 01.12.2016 13:25
Me një sy nga derbi i futbollit, basketbolli bën llogaritë e veta dhe menaxheri i përgjithshëm i klubit deklaron: “Marrja e Kupës së Shqipërisë është një motiv, por skuadra ka kohë që është në formë”. “Tirana të fitojë për të gjithë tifozët e saj”. Ky është thelbi i intervistës që menaxheri i përgjithshëm i klubit shumësportësh bardheblu, Anxhelo Koleka, ka dhënë në prag të ndeshjes së 6-të të Ligës Ballkanike.
Pikërisht sot në mbrëmje në ora 19:00, në sallën kryesore të Pallatit të Sportit “Asllan Rusi”, Tirana do të presë Pejën, ndërsa fitorja e Kupës, shtuar këtu dhe suksesin e javës së kaluar në vizitën e Mitrovicës me Trepçan, e ka bërë ambicioze skuadrën e trajnerit Nikola Milatoviç. Janë të vetëdijshëm se zhvillimi i derbit të futbollit Tirana-Partizani në ora 18:00 në stadiumin “Selman Stërmasi” ka ulur numrin e shikuesve, por megjithatë tashmë kërkesa për të fituar është më e fortë.
Edhe pse Peja është një skuadër me buxhet shumë më të madh se sa Tirana dhe me lojtarë cilësor. “Ne nuk llogarisim kurrë që kundërshtari mund të vijë i lodhur për shkak të pjesëmarrjes në Kupat e Evropës, apo në kampionat. Përkundrazi llogarisim vetëm forcat tona. Shpresoj që të jemi të suksesshëm”, – ka thënë Koleka. Ja dhe intervista e tij për “Sport Ekspres”.
– Sapo keni fituar Kupën e Shqipërisë, sa ju motivon për të arritur një tjetër sukses në Ligën Ballkanike ndaj Pejës?
– Sigurisht që është një motiv, por Tirana ka kohë që është në formë. Sepse përpara Kupës së Shqipërisë kemi fituar në Mitrovicë ndaj Trepçës duke dëshmuar se jemi të denjë për të vazhduar më tej në Ligën Ballkanike. Mos harroni që në kampionat nuk kemi asnjë humbje. Janë gati pesë ndeshje që skuadra ka marrë formën e vet që e dëshmoi dhe në Kupën e Shqipërisë. Ne jemi të kënaqur që jemi kthyer tek trofetë e munguar duke shpresuar se të tillë do të jemi dhe në vazhdim.
– Sot përballë jush Peja, çfarë lloj kundërshtari është?
– Mjafton të themi që është një skuadër me një buxhet shumë më të madh se sa ne, gati dhjetëfish, dhe llogaritë bëhen vetë. Ka lojtarë shumë të mirë, mbi të gjitha amerikani Markus Rid dhe gjithnjë bëhet kundërshtar i vështirë. Por megjithatë ne shpresojmë që të jemi dinjitoz përballë tyre.
– Në fakt Peja, ashtu sikurse SIGAL Prishtina, janë dhe në Kupat e Evropës. Duke llogaritur që SIGAL-i është mundur përsëri në Ligën Ballkanike, a mendoni që të përballeni me një kundërshtar të lodhur si Peja?
– Asnjëherë. Vetëm të martën ka fituar me mbi 30 pikë ndaj Karposh Sokolit. Është skuadër që ka lojtarë shumë jo vetëm për të përballuar Ligën Ballkanike, por dhe Kupat e Evropës, apo dhe kampionati. Në fakt ne nuk bëjmë llogaritë e kundërshtarit, por vetëm tonat dhe shpresojmë të marrim më të mirën edhe duke luajtur në fushën tonë.
– Sot dhe derbi i futbollit, do të luani thuajse pa tifozë, atëherë?
– Është një vështirësi e madhe, sepse nuk do të jemi si përballë Trepças, ndërsa kishim mbështetjen maksimale të “Fanatiksave”. Por për ne dhe të gjithë fansat bardheblu është që Tirana të fitojë kudo. Jo vetëm në basketboll, por dhe në derbin me Partizanin sot. E gjithë filozofia është të fitojmë për tifozët tanë.