Gjergj Vyshka 08.12.2016 14:20
Menaxheri i përgjithshëm i klubit bardheblu, Anxhelo Koleka: “Kjo ishte ndeshja më e vështirë për ne. Mos harroni që kanë bërë 6 ndeshje për 10 ditë dhe kjo është konsum për skuadrën. Por do ta kalojmë grupin.” “Ne nuk shqetësohemi nga kjo humbje, – thotë ai, – përkundrazi jemi të bindur se do të jemi në turin tjetër të Ligës Ballkanike të Basketbollit për Meshkuj (BIBL). Do të shfrytëzojmë maksimalisht dy ndeshjet që kemi në shtëpi me Sutjeskën dhe Karposin e do të fitojmë.
“Nuk është se nuk e prisnim një disfatë të tillë, aq më tepër që maqedonasit ishin kundërshtar i vështirë dhe ne e prisnim një gjë të tillë, – ka vijuar drejtuesi i këtij klubi. -Me një disavantazh prej 26 pikësh ishte e vështirë përmbysja, ndonëse luajtëm deri në fund për një gjë të tillë. Jemi shumë më të qetë dhe më të sigurt se ia arrijmë me Sutjeskën e më pas dhe me Karposhin, sepse MKK Feni Industriers ishte kundërshtari më i vështirë i grupit”.
Koleka ndalet dhe në faktin që janë luajtur 6 ndeshje në 10 ditë. “Është konsum për skuadrën, – shpjegon menaxheri i përgjithshëm i klubit bardheblu, – kemi bërë ndeshje të mira, por lojtarët kanë qenë dhe të lodhur. Ky është dhe shkaku që nuk deshëm ta bënim ndeshjen me Teutën të premten. Besojmë dhe mendojmë se do t’ia dalim me Sutjeskën.”