Një ndeshje interesante dhe me plot surpriza ishte ajo e mbrëmshja në mes Vllaznisë dhe Teutës në basketboll për meshkuj e luajtur në Pallatin e Sportit “Qazim Dervishi” të Shkodrës. Ndonëse ka edhe dy javë kampionat, fitorja e mbrëmshme e kuqebluve e ka plotësuar përfundimisht kuartetin e skudrave që do të vazhdojnë luftën për titull në “play-off”-in final. Kështu shkodranët e drejtuar nga trajneri Bledar Gjeçaj janë të dytët, pas Kamza Basket, dhe pas tyre është Tirana, kurse e katërta Teuta.
Duke iu rikthyer ballafaqimit Vllaznia-Teuta duhet thënë se tifozeria shkodrane pati rastin të ndjekë një ndeshje cilësore dhe shumë të dyluftuar nga të dyja skuadrat. Meritë në këtë mes ka edhe skuadra mysafire nga Durrësi, e cila me një përbërje simpatike, ku spikatën Llazani e Daliu, pati momente që kërcënoi seriozisht Vllazninë. Tipike ka qenë pjesa e dytë, e cila u fitua nga miqtë me rezultatin 13-22. Madje miqtë patën momente edhe në pjesën e tretë që e mbajtën Vllazninë nën presion.
Nga sa u pa në fushën e lojës e gjitha kjo ka zgjatur deri tek tre-katër minuta përpara përfundimit të pjesës së tretë, sepse më pas fal rritjes së ndjeshme të skuadrës kuqeblu gjithçka u shndërrua në favor të tyre. Minuta këto që flasin për një lojë shumë të organizuar të kuqebluve arma kryesore e të cilëve ishte lufta e fortë në tabelë, mbrojtja dhe kundërsulmi i shpejtë. E gjithë kjo lojë ka nxjerrë në pah elasticitetin e dukshëm në veprime të amerikanit Alen.
Por nuk duhet harruar edhe Algert Gjonaj, i cili, me 20 pikët e tij ishte pikëshënuesi i ndeshjes. Ndërkohë që tek miqtë këtë status e kishte Bruno Daliu me 23 pikë. Gjithnjë duke iu referuar ecurisë së takimit, shpërthimi i kuqbluve erdhi në pjesën e katërt kur diferenca ndaj kundërshtarit shkoi deri në 30-të pikë. Moment ky që nxiti trajnerin Gjeçaj të hedhë në fushë të gjithë stolin që kishte në dispozicion. E Teuta ka ngushtuar deri në 21 pikë dhe në përfundim 89-68 për Vllazninë.
Vllaznia – Teuta 89-68
(23-16, 13-22, 29-12, 24-18)
Vllaznia: Bërdica, Alen, Arra, Faslija, Rrashketa / Gjonaj, Xhokoviç, Bekteshi, Taraboshi, Do. Lekndreaj, Tinaj, Da. Lekndreaj. Trajner: B. Gjeçaj
Teuta: Gorea, Ndreko, Thano, Pasha, Strazimiri / Llazani, Aliaj, Daliu, Isufi, Veselagu, Skilja, Mirdita. Trajner: N. Milatoviç
Gjyqtarë: G. Hoxha, E. Allaraj, A. Bejko (Tiranë)
Kampionati Kombëtar
i Basketbollit – Meshkuj
Superliga
Java e 18-të
(15-16 prill 2016)
Të premten:
Kamza Basket – Partizani 77-69
Të shtunën:
Tirana – Flamurtari 133-68
Vllaznia – Teuta 89-68
Renditja
Nr. Skuadra N. F. H. Psh-Pp Pikë
- Kamza Basket 18 16 2 1306-1076 34
- Vllaznia 18 14 4 1303-1121 32
- Tirana 18 12 6 1401-1173 30
- Teuta 18 8 10 1324-1285 26
- Flamurtari 18 3 15 1005-1463 21
- Partizani 18 1 17 1101-1312 19