AlbanianSport.com 04/12/2018 16:30
ASNN – Flet Gert Shima: Fitorja me Partizanin një “shuplakë” për ata që nuk besonin tek aftësitë e Tiranës. Një prej basketbollistëve më të mirë të Shqipërisë, Gert Shima, beson se Tirana mund ta fitojë titullin “kampion” sërish nëse ekipit bardheblu do t’i gjendej në këtë moment një sponsor. Në një intervistë të dhënë për mediat sportive të ditës, Shima ka analizuar ecurinë e bardhebluve, rezultatet e fazës së parë të kampionatit në Superligën e Meshkujve, si dhe pritshmëritë e skuadrës së Tiranës në këtë edicion të koshit shqiptar.
“Siç e dimë të gjithë Tirana e nisi sezonin mes shumë problemesh, – deklaroi Shima, – ku patëm ndryshime në stafin drejtues dhe na u larguan shumë basketbollistë cilësorë. Fillimi i kampionatit ishte shumë i vështirë, ku ne arritëm vetëm dy fitore. Por me ardhjen e Erkand Karajit si trajner e lojtar, si dhe Bruno Daliut, gjërat u përmirësuan ndjeshëm. Një tjetër mangësi në nisje e skuadrës tonë lidhej me fazën përgatitore të cunguar, më saktë me mungesën e fazës përgatitore. Por hap pas hapi jemi përmirësuar.”
“Dhe me dy fitoret e fundit ndaj skuadrave pretendente si Goga Basket dhe Partizani, jemi në pozita më të mira. Nuk mund të them se jemi në maksimumin tonë, – vijoi gjigandi i koshit shqiptar, – pasi duhet ende kohë për t’u përgatitur si duhet në planin taktik, teknik e fizik, por me kalimin e kohës do të jemi më të fortë. Ne jemi “kampionë” në fuqi dhe deri në muajin maj duhet të llogarisim si ta mbrojmë titullin. Ne si skuadër do t’ia dalim jo vetëm të mbajmë skuadrën në elitë, por edhe të fitojmë trofe, ta mbajmë Tiranën në majë, aty ku ajo e meriton.”
“Fitorja jonë me Partizanin ishte një shuplakë për të gjithë ata që nuk besonin tek skuadra e Tiranës. Ne tashmë po punojmë shumë mirë në kushtet që kemi, dhe nëse do të kemi një apo dy afrime cilësore, si dhe afrimi i ndonjë sponsori, atëherë gjërat do të përmirësohen akoma më shumë. Dua të falënderoj edhe tifozët, sepse kemi mesataren më të lartë të tifozëve në pallatin e sportit nga të gjitha skuadrat e tjera dhe kjo ka ndodhur nga java e parë e deri tani. Ky është një tjetër motivim për ne”, – përfundoi kapiteni i Tiranës së basketbollit të meshkujve, Gerti Shima.