AlbanianSport.com 09/01/2018 19:45
ASNN – Ka nisur të premten java e 6-të e Superligës në Basketboll për Meshkuj, ku Tirana pësoi një humbje të rëndë në periferi të kryeqytetit, ku u mund nga Kamza Basket me rezultatin 82-86. Natyrisht, ishte një humbje që dhemb për bardheblutë, kampionë në fuqi, të cilët rrezikojnë shumë tashmë të mos kapin zonën e “play-off”-it final.
Në tërësi ishte një ndeshje e ekuilibruar, me të dyja skuadrat që shfaqën dëshirë për të fituar, por edhe një rivalitet pjesë pas pjese. Në fakt, fitorja e Kamza Basketit ishte një hakmarrje për duelin e javës së parë midis tyre, ku Tirana kishte fituar në “Fahrie Hoti” me vetëm një pikë më shumë. Pra, fitorja e Kamzës shijoi për ta si një hakmarrje ndaj bardhebluve.
Për Kamzën fitorja e sotme ishte e dyta në këtë sezon, dhe shpresat për një rikuperim janë të mëdha dhe nëse vijnë të tjera fitore atëherë mund ta nxjerrë Tiranën jashtë loje për zonën e “play-off”-it. Bardheblutë treguan dhe një herë tjetër dobësitë që kanë në kampionatin e sivjetëm. Ndërkohë, java e gjashtë e Superligës së Meshkujve do të vijojë të shtunën me dy ndeshjet e tjera.
Goga Basket pret në Arenën Sportive “Dhimitraq Goga” Vllazninë, një ndeshje që luhet në orën 17:00. Ndeshja e fundit do të jetë ajo mes Teutës dhe Partizanit, që do të luhet në “Ramazan Njala” të qytetit të Durrësit, po në të njëjtën orë dhe do të sillet për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar, në kanalin RTSH Sport.
Kjo e fundit pritet të jetë një superndeshje, por padyshim që favoritë janë durrsakët, që janë njëherësh edhe kryesuesit e kampionatit. Kështu, janë 3 skuadra që kryesojnë garën, Teuta, Goga basket dhe Partizani, me nga 4 fitore e një humbje secili e me nga 9 pikë në renditje. Vendin e katërt e mori sot Kamza Basket që ka aktualisht 8 pikë, më pas Tirana me 8 pikë e në fund Vllaznia me vetëm 5 pikë.