AlbanianSport.com 01/12/2018 13:20
ASNN – Java e 8-të e nivelit më të lartë të Kampionatit Kombëtar në Basketboll për Meshkuj, që njihet si Superliga, është mbyllur të dielën me takimin e fundit, atë që është luajtur në Sallën Sportive të Bathores në Kamëz dhe ku skuadra vendase ka mposhtur Vllazninë e me rezultatin 85-80. Ndonëse pritej një reagim nga ekipi shkodran në këtë sfidë, që prej dy javësh luan me një trajner të ri dhe me një grup të përforcuar lojtarësh, përfshi edhe 3 amerikanë, ka ardhur humbja e tetë radhazi në kampionat për skuadrën e Vllaznisë, që tanimë rrezikon seriozisht rënien një kategori më poshtë.
Kamza mori një fitore vlera të dielën, në një takim me shumë rivalitet dhe emocione, ku hera-herës pati edhe tension por në fund vendasit arritën të triumfojnë, pas një loje më të mirë në minutat e fundit. Vllaznia gaboi atëherë kur nuk pritej, duke ndërlikuar edhe më shumë pozitat e saj, në vendin e fundit, ndërsa Kamza konsolidon vendin e pestë, që të çon në “play-out”-in midis dy kategorive të kampionatit të koshit të meshkujve në vend. Ndërkaq, të shtunën janë zhvilluar dy ndeshjet e tjera të kësaj jave, që në fakt ishin dy ndeshje derbi, në Tiranë e Durrës.
Në Durrës, skuadra e Goga Basket mundi 80-76 Teutën, një ndeshje me emocione deri në sekondën e fundit, pasi të dyja ekipet e kërkuan këtë sukses. Përgjatë gjithë kohës, takimi ka qenë i barazpeshuar, me skuadrat që nuk tolerojnë, por, ndryshe nga ndeshja e fazës së parë, e zhvilluar në Pallatin e Sportit “Ramazan Njala” të Durrësit, basketbollistët e trajnerit Nikola Milatoviç, janë treguar më të saktë në momentet vendimtare, duke arritur të fitojnë. Teuta gaboi atëherë kur nuk pritej, duke pësuar disfatën e 3-të. Për Goga Basket vjen një hakmarrje pas humbjes në fazën e parë.
Ndërkaq, në mbrëmje, në Sallën Sportive “Fahrie Hoti” në kryeqytet, skuadra e Tiranës fitoi 92-83 ndaj Partizanit në derbin kryeqytetas, në atë që ishte një hakmarrje e bardheluve për humbjen e fazës së parë, por, që për më tepër, rihapi dukshëm kampionatin. Ka qenë një ndeshje me rivalitet në pjesën e parë ky derbi, i barazpeshuar dhe ku skuadrat luajnë mirë, sidomos në mbrojtje. Nuk mungoi edhe tensioni pas përfundimit të ndeshjes, me disa tifozë të Tiranës që hyjnë në fushë, por ndërhyjnë forcat e sigurisë, ndërsa ka patur edhe përplasje në parket midis lojtarëve.
Kampionati Kombëtar
i Basketbollit – Meshkuj
Superliga
Java e 8-të
Të shtunën, 1 dhjetor 2018:
Goga Basket – Teuta 80-76
Tirana – Partizani 92-83
Të dielën, 2 dhjetor 2018:
Kamza Basket – Vllaznia 85-80
Renditja
Nr. Skuadra N. F. H. Pikë
- Goga Basket 8 6 2 14
- Partizani 8 6 2 14
- Teuta 8 5 3 13
- Tirana 8 4 4 12
- Kamza Basket 8 3 5 11
- Vllaznia 8 0 8 8