Gjergj Vyshka 10.04.2016 14:35
Kamza Basket duket se ia ka marrë dorën Tiranës, të cilën e ka mundur përsëri mbrëmë, këtë herë në Sallën Sportive “Fahrie Hoti” në kryeqytet. Kamzalinjtë, të udhëhequr nga Karaj dhe më pas me radhë Hamati, Shestani, Fjolla e Birçaj e vënë që në fillim ndeshjen nën kontroll. Mirëpo në të njëjtën monedhë përgjigjet dhe Tirana, e cila e ka fituar pjesën e parë 18-16.
Kamza kthen në të dytën dhe duke fituar 11-17 arrin të përmbysë në 29-33. Tirana lëshohet në të tretën, fiton 20-13 dhe kryeson 49-46. Mirëpo e fundit është tërësisht për kamzalinjtë, të cilët kanë fituar 7-20 dhe krejt ndeshjen 56-66. Nga gjyqtarët Gokaj, Basho dhe Hoxha është dhënë edhe një gabim teknik përjashtimi për trajnerin e Kamza Basket, Adem Muhametaj, i cili ka kërkuar sqarime në fund.
Por vetëm ndërhyrja e personave të tjerë ka shmangur ndonjë përplasje të mundshme me gjyqtarët. Po kështu Karaj ka luajtur i dëmtuar pas një çarje në vetull gjatë një përplasjeje, ndërsa ka qenë i pranishëm kryetari i Bashkisë së Kamzës, Xhelal Mziu, sikurse dhe “Fanatiksat” e rinj. Por Tirana përsëri nuk ia ka dalë në fushën e vet. Dy humbje radhazi për Tiranën, ndërsa bardheblutë e Avramit duken në krizë.
Tirana – Kamza Basket 56-66
(18-16, 11-17, 20-13, 7-20)
Kampionati Kombëtar
i Basketbollit – Meshkuj
Superliga
Java e 17-të
(9 prill 2016)
Tirana – Kamza Basket 56-66
Vllaznia – Partizani 92-73
Flamurtari – Teuta 54-72
Renditja
Nr. Skuadra N. F. H. Psh-Pp Pikë
- Kamza Basket 17 15 2 1229-1007 32
- Vllaznia 17 13 4 1214-1053 30
- Tirana 17 11 6 1268-1105 28
- Teuta 17 8 9 1256-1196 25
- Flamurtari 17 3 14 1027-1330 20
- Partizani 17 1 16 1032-1235 18