ASNN – Kamza Basket është fituese e Kupës së Shqipërisë në basketboll për meshkuj për edicionin 2015-2016, ndërsa e merr këtë trofe për herë të dytë, kur më parë e kishte fituar në sezonin 2012-2013. Suksesi i saj u arrit me plot meritë, teksa, pasi kaloi lehtësisht gjysmëfinalen me Partizanin, mposhti në finale me shumë vështirësi Tiranën. Ballafaqimi Kamza Basket-Tiranë u luaj mbrëmjen e së enjtes në pallatin e sportit “Qazim Dervishi” të qytetit të Shkodrës në një finale, e cila edhe pse nuk kishte në fushë ekipin vendës të Vllaznisë u përjetuan nga të pranishmit me shumë emocion.
Këto të fundit ishin edhe më të mëdha për vetë rivalitetin dhe barazpeshën që shoqëroi takimin që nga minuta e parë dhe deri në fishkëllimën përfundimtare të gjyqtarëve të ndeshjes. Në një vështrim të shpejtë të ecurisë së takimit, vetë shifrat e pjesëve të lojës, 16-16, 15-16, 19-17, 14-11 pasqyrojnë më së miri atë çfarë ka prodhuar loja, ku, për hir të së vërtetës, duhet pranuar se barazimet dhe kalimi i njërës dhe i tjetrës skuadër në epërsi ka qenë thuajse tërë kohës i pranishëm në këtë ndeshje.
Por ai që vendosi ishte fundi i takimit, ku në saj të një qetësie dhe saktësie më të madhe në lojën me topin suksesi u firmos në anën e skuadrës së Kamzës, e cila e drejtuar nga trajneri Adem Muhametaj siglon fitoren e trofeut të radhës. Parketi i pallatit të sportit “Qazim Dervishi” u bë pronë e kampit të kamzalinjve, të cilët festuan për minuta të tëra. Në ceremoninë përfundimtare, pas fjalës së Sekretarit të Përgjithshëm të Federatës Shqiptare të Basketbollit, Korab Llazani, dhe në prani të anëtarit të Komitetit Ekzekutiv, Ilir Taflaj, ka ardhur dhe dorëzimi i trofeut për Kamza Basket nga presidenti Avni Ponari.
Kamza Basket – Tirana 64-60
(16-16, 15-16, 19-17, 14-11)
Kamza Basket: Hamati, Shestani, Karaj, Birçaj, Roshi / Gjoka, Fjolla, Damo, Balliu, Oruçi, Gledis dhe Ergys Muhametaj. Trajner: A. Muhametaj
Tirana: Lasku, Vogli, Vaqarri, Gjyzeli, Hasani / Sukaj, Huqi, Hysa, Jani, Mara, Koko. Trajner: R. Avrami
Gjyqtarë: G. Cici, E. Koçi (Tiranë), E. Hoxhaj (Vlorë)