AlbanianSport.com 19.01.2015 08:35
Pas Tiranës në basketboll për meshkuj, edhe Kamza Basket, e cila përgatitet për finalen e Superkupës së Shqipërisë ndaj Vllaznisë më 23 janar në Pallatin e Sportit “Asllan Rusi” në Tiranë, ka luajtur një ndeshje miqësore me skuadrat kosovare. Përballë skuadrës së drejtuar nga Adem Muhametaj, në sallën sportive të Bathores, kanë qenë kosovarët e Bashkimit të Prizrenit.
Kamzalinjtë kanë qenë në epërsi, teksa kanë kryesuar deri në sekondat e fundit. Kanë udhëhequr në fund të pjesës së tretë 49-43. Madje e kanë mbyllur po këtë pjesë loje 62-55. Mirëpo teksa kanë qenë në sekondat e fundit të lojës në epërsi prej dy pikësh, 77-75, prizrenasit kanë lëshuar një bombë me vlerën e tre pikëve. Dhe në përfundim 77-78 për Bashkimin e Prizrenit.
Pas ndeshjes kanë vijuar me seancën stërvitore të radhës, sepse Kamza Basket pretendon që të marrë Superkupën. Sidomos në kushtet kur shkodranët pa të huajt, por dhe me një këmbë në Ligën Ballkanike, – të martën më 20 janar do të jetë në Krajovë të Rumanisë përballë skuadrës vendëse, – atëherë shanset për Kamza Basket mund të jenë më të mëdha për ta fituar për herë të tretë Superkupën e Shqipërisë.
Dhe kur e kanë udhëhequr të gjithë ndeshjen, pavarësisht se ajo është humbur në sekondat e fundit, atëherë kjo tregon se Kamza Basket ka një formë të mirë sportive.