AlbanianSport.com 02.05.2015 19:35
ASNN – Menjëherë pas kurorëzimit të saj, skuadra “kampione” e Shqipërisë në basketboll për meshkuj, Vllaznia, është pritur nga kryetari i Bashkisë së Shkodrës, Lorenc Luka, në zyrën e tij. Në fjalën e tij, kryebashkiaku, përveçse i uroi mirëseardhjen, dha edhe mbështetjen e tij për vazhdimësinë. “Unë dua t’ju përgëzoj për këtë sukses shumë të madh që keni arritur”, – ka deklaruar ai.
“Fitimi i titullit “kampion” është një nder jo vetëm për ne që jemi këtu, por për të gjithë Shkodrën, – vijoi kryebashkiaku shkodran. – E di se keni sakrifikuar dhe jeni përpjekur shumë për të arritur këtë sukses. Në rininë time edhe unë kam luajtur basketboll dhe e di fare mirë se çfarë do të thotë të bësh sakrificë dhe të arrish rezultate të larta. Patjetër që dua t’ju falënderoj për këtë triumf që gëzoi gjithë qytetin.”
“Dua t’ju them se në të ardhmen do keni mbështetjen time, por edhe të Bashkisë Shkodër”, – përfundoi Luka. Vllaznia shoqërohej edhe nga drejtori i “Sport Klub Vllaznia” Mark Kroqi, i cili falënderoi për mikpritjen. “Unë dua ta falënderoj kryebashkiakun për këtë mikpritje të ngrohtë,- tha ai. – Natyrisht që edhe Bashkia ka rolin e saj në këtë sukses.”
“Kjo sepse, brenda mundësive, Bashkia mbështet jo vetëm basketbollin, por të gjitha sportet në përgjithësi. Një falënderim të madh edhe për tifozët e shumtë të Vllaznisë që ishin të pranishëm në Tiranë”, – përfundoi Kroqi. Ndërsa ndihmëstrajneri Bledar Gjeçaj, po ashtu bëri falënderimet e tij. “Është kënaqësi kur mundi ynë vlerësohet, – tha ai. – Falënderoj kryetarin e Bashkisë për pritjen.”
“Për ne nuk ka qenë e lehtë sepse është një punë e nisur që para 7 viteve dhe që tashmë kurorëzohet me 2 tituj kampion radhazi dhe 2 kupa të fituara, pra janë 4 trofe. Shpresoj ta mbajmë këtë ritëm dhe të vazhdojmë me rezultate të larta” – deklaroi Gjeçaj. Për këtë sukses, në mbledhjen e radhës Këshilli i Bashkisë Shkodër miratoi 10 milionë lekë të vjetra si shpërblim për suksesin e arritur nga Vllaznia.