Gjergj Vyshka 05.10.2016 12:25
Nëse të hënën nis zyrtarisht Liga Ballkanike me ndeshjen Tirana-Trepça e Mitrovicës, më 14 tetor 2016 nis Kampionati Kombëtar i Basketbollit për Meshkuj dhe bardheblutë do të jenë përballë Vllaznisë në fushën e tyre, në Sallën Sportive “Farie Hoti” në kryeqytet.
Diferenca mes “Asllan Rusit” dhe “Farie Hotit”, kjo është çështja që diskutohet me menaxherin e bardhebluve. Por që, për menaxherin e përgjithshëm të klubit shumësportësh “Tirana”, Anxhelo Kolekën, nuk ka probleme, sepse skuadra është stërvitur në të dy mjediset sportive.
“Së pari, – thotë Koleka, – të gjithë këto blerje na kanë krijuar një grup të mirë, që do të fitojë eksperiencën e duhur për të përballuar Ballkaniadën, si dhe për të kthyer titujt e trofetë në klub. Mos harroni ka ardhur Erkand Karaj, që është kapiteni i skuadrës, më pas Lasku e Vogli do të kenë kontributin e tyre të madh me eksperiencën që kanë.”
“Trajneri cilësor, ndërsa pjesë e stafit do të jenë dhe Borova e Ago e të gjithë së bashku do të krijojmë atë ekip që duhet për të përballuar mirë Ligën Ballkanike”, – ka përfunduar Koleka.