AlbanianSport.com 18/01/2019 16:15
ASNN – Një nga lojtarët më të spikatur të Teutës, Endrit Hysenagolli, ka përshkruar me notë mjaft të lartë paraqitjen e skuadrës durrsake në Ligën Ballkanike, teksa vetë ai është një nga shtyllat e këtij suksesi. Duke folur për Rrjetin e Televizionit Publik Shqiptar, Hysenagolli e quajti prezantimin e Teutës në këtë veprimtari një faqe të suksesshme në historinë e klubit durrsak.
“Kjo që ka bërë Teuta këtë vit nuk ka ndodhur ndonjëherë me ekipet e tjera shqiptare që kanë luajtur në Ligën Ballkanike, – shprehet Hysenagolli. – Me Tiranën arritëm vetëm 3 fitore, kurse Vllaznia nuk arriti fare asgjë. Skuadra e parë shqiptare që arriti 6 fitore në këtë turne është pikërisht Teuta. Ne madje duket se do të jemi skuadra e parë nga Shqipëria që arrin në “4-shen finale”. Padyshim që është një sukses i madh.”
“Përvoja ime dhe e Laskut natyrisht që ka ndikuar dhe ka ndihmuar ekipin të arrijë në nivele të tilla, sepse ne vijmë nga skuadra e Tiranës dhe kemi luajtur më parë në Ligën Ballkanike, pra ne e njohim këtë veprimtari dhe japim kontribut për klubin, – ka vijuar ai. – Jo vetëm kaq, por unë kisha dhe eksperiencën që mora në Kosovë. Megjithatë, për këtë sukses të Teutës në Ligën Ballkanike ka meritë e gjithë skuadra.”