AlbanianSport.com 11/02/2019 12:00
ASNN – Të dielën u zhvillua në kryeqytet ndeshja e fundit e javës së 11-të të Superligës në basketboll për meshkuj, ku Partizani u mposht në Pallatin e Sportit “Asllan Rusi” nga Teuta me shifrat 79-92. Ishte një fitore e madhe për skuadrën durrsake, e cila për momentin largon rrezikun nga një rival direkt dhe fokusohet në rivalitetin me Goga Basket, skuadër që mban vendin e parë.
Edhe pse trajneri i Partizanit, Arben Fagu, bëri kritika ndaj arbitrimit duke “shigjetuar” Federatën Shqiptare të Basketbollit, duhet thënë se rezultati i ndeshjes flet në favor të Teutës që bën një hap të madh përpara në kampionat. Natyrisht, diferenca nuk janë të mëdha, pasi Goga Basket ka 20 pikë, Teuta 19 pikë dhe Partizani 18 pikë, fill pas tyre është një skuadër që duhet marrë në konsideratë, Tirana, në vend të katërt me 14 pikë.
Por fitorja e Teutës në kryeqytet me Partizanin ishte e bujshme dhe mjaft e rëndësishme për këtë edicion dhe rivalitetin për titullin. Këtë e pranon edhe një prej lojtarëve me eksperiencë të skuadrës durrsake, Endrit Hysenagolli, i cili ishte një nga më të spikaturit e skuadrës së tij me 19 pikë të realizuara. Pas takimit, ai e vlerësoi ndeshjen dhe fitoren e arritur si një nga më të rëndësishmet e këtij sezoni.
“Fitorja ndaj Partizanit ishte një nga më të rëndësishme për ne gjatë këtij sezoni. Kjo pasi suksesi erdhi ndaj një rivali direkt për titull dhe për këtë arsye fitorja merr vlerë dyfishe. Shpresojmë të ecim në këtë mënyrë, për të mundësuar fitimin e titullit”, – deklaroi Endrit Hysenagolli, i cili më parë ka qenë pjesë e skuadrës së Tiranës, ndërsa e ka provuar me sukses fatin edhe në parketin e basketbollit të Kosovës.