AlbanianSport.com 08/01/2019 07:00
ASNN – Kapiteni i Teutës, Gorea: Me përforcimet e reja besoj se do t’ia dalim në Ligën Ballkanike. Teuta është një prej skuadrave që ka zhvilluar më shumë ndeshje në Ligën Ballkanike, 7 të tilla, dhe vetëm bullgarët e Akademik Bullteks kanë luajtur më shumë, plot tetë takime. Në këto 7 ndeshje të luajtura Teuta ka grumbulluar 11 pikë dhe ndodhet në vend të dytë.
Por Beroe, skuadër tjetër bullgare, është në një nivel më të mirë, pasi në pesë ndeshje të luajtura ka pesë fitore dhe shfaqet si ekip pretendent për ta fituar këtë veprimtari rajonale. Megjithatë, Teuta shpreson të bëjë surprizën e madhe, nisur dhe nga përforcimet që do të bëjë klubi. Menjëherë pas fitores së mbrëmshme, foli kapiteni i “Djemve të detit”, Kristi Gorea.
Ai shfaqi optimizëm për vazhdimësinë, duke thënë se Teuta e ka potencialin dhe sharmin për të qenë brenda objektivave të saj në këtë veprimtari. “Për ne kjo ishte një ndeshje shumë e vështirë dhe diferencën e bëmë vetëm në fundin e pjesës së katërt, – u shpreh pas ndeshjes kapiteni Gorea. – Pikërisht në këtë pjesë ne bëmë disa aksione sulmuese vendimtare dhe, në të njëjtën kohë, bllokuam mirë kundërshtarin.”
“Nuk është aspak e lehtë të kthesh në minutat e fundit 10 pikë disavantazh, por ne e bëmë dhe mendoj se e merituam fitoren. Është një sukses i rëndësishëm për objektivat e Teutës në këtë Ligë Ballkanike. Synimet janë po ato që kishim në fillim të sezonit dhe me përforcimet që do të bëjmë në merkato shpresoj t’ia dalim”, – ka përfunduar kapiteni i Teutës së basketbollit për meshkuj, Kristi Gorea.