AlbanianSport.com 09/02/2019 22:05
ASNN – Kanë rinisur kështu emocionet e nivelit më të lartë të Kampionatit Kombëtar të Basketbollit të Meshkujve. Pas fitores së Tiranës në derbin e së premtes kundër Kamzës, të shtunën ishte radha e Goga Basket të regjistrojë një fitore me vlera në rrugëtimin e saj këtë edicion, pasi triumfoi bindshëm në Shkodër ndaj Vllaznisë me rezultatin 90-76.
Janë 14 pikë diferencë që tregojnë qartë superioritetin e ekipit privat të Durrësit, që me këtë sukses ruan vendin e parë në renditje, duke vënë nën presion rivalët e tjerë që luftojnë për titullin. Ndeshja ishte e fortë, madje mendohej të ishte me më shumë rivalitet, pasi Vllaznia ka bërë ndryshime dhe është përforcuar me blerje, por përballë Goga Basketit kjo nuk mjaftonte.
Dhe ekipi durrsak doli nga Shkodra me dy pikë që e mbajnë atë në vend të parë, duke vënë nën presion Partizanin dhe Teutën. Këto të fundit do të luajnë këtë të dielë duelin e radhës midis tyre dhe fituesi është i sigurt që do të shihet si favorit së bashku me Gogën për titullin “kampion” të këtij edicioni. Skuadrat kanë bërë përforcime, janë përgatitur fort dhe kjo ndeshje pritet me mjaft interes.
Kampionati Kombëtar
i Basketbollit – Meshkuj
Superliga
Java e 11-të
Të premten, 8 shkurt 2019:
Tirana – Kamza Basket 89-59
Të shtunën, 9 shkurt 2019:
Vllaznia – Goga Basket 76-90
Të dielën, 10 shkurt 2019:
Partizani – Teuta (18:00)
Pallati i Sportit “Asllan Rusi”, Tiranë
Renditja
Nr. Skuadra N. F. H. Pikë
- Goga Basket 11 9 2 20
- Partizani 10 7 3 17
- Teuta 10 7 3 17
- Tirana 11 5 6 16
- Kamza Basket 11 3 8 14
- Vllaznia 11 1 10 12