AlbanianSport.com 13/10/2018 19:00
ASNN – Në atë që ishte ndeshja që uli siparin e javës së dytë të nivelit më të lartë të Kampionatit Kombëtar të Basketbollit për Meshkuj, që njihet si Superliga, Goga Basket ka mposhtur kampionen në fuqi, Tiranën, me rezultatin e thellë 102-75, duke ruajtur të paprekur kreun e renditjes. Në takimin e zhvilluar në Arenën moderne Sportive “Dhimitraq Goga” në Xhafzotaj të Durrësit, skuadra e drejtuar nga trajneri Nikola Milatoviç ka bërë një lojë të bukur, duke korrur edhe një fitore bindëse ndaj bardhebluve kryeqytetas.
Në fakt, sikundër është vërejtur këto dy javë të para, Tirana nuk është më ajo e sezonit të shkuar, për shkak të largimeve të shumta, ndërkohë që barra më e madhe ka rënë mbi supet e veteranëve Gerti Shima dhe Red Vogli, ndërsa skuadra drejtohet nga Erkand Karaji, i cili, krahas basketbollistit dhe kapitenit, do të bëjë edhe trajnerin këtë sezon. Fillimi i ndeshjes ka qenë i barazpeshuar, me të dyja skuadrat që marrin kryesimin, përpara se Milatoviç të kërkojë një pushim, ku ai i ka folur gjatë bashkatdhetarit Miliç, por edhe pjesës tjetër të skuadrës.
Ky pushim i strategut malazez të ekipit privat të Durrësit, të themeluar nga biznesmeni sportdashës, Perikli Goga, ka patur ndikim të menjëhershëm, pasi Goga Basket e ka stabilizuar lojën e saj, duke vijuar të shkëputet dhe ta mbyllë pjesën e parë me rezultatin 24-14. Në fakt, kjo epërsi 10-pikëshe e ndërtuar në 10 minutat e para do të kushtëzojë edhe fatin e ndeshjes në vijim. Edhe pse Tirana luan më fort në pjesën e dytë, është skuadra e drejtuar nga Milatoviçi dhe ndihmësi Bekim Abrazhda që do ta fitojë edhe këtë 10-minutës 25-21, duke shkuar në pushimin e madh të ndeshjes në kryesim 49-35.
Do të jetë pjesa e 3-të ajo që do të vulosë fatin e ndeshjes, pasi skuadra vendase e fiton atë me 11 pikë epërsi, 32-21, duke bërë që pas një gjysmë ore lojë të ndërtojë një hendek prej plot 25 pikësh, në shifrat 81-56. Tirana është e pafuqishme për të reaguar dhe, përtej 26 pikëve të Shimës (pikëshënuesi më i mirë i takimit) dhe 21 pikëve të Voglit, Goga Basket e administron mirë epërsinë dhe e fiton edhe 10-minutën e 4-t dhe të fundit me rezultatin 21-19 dhe gjithë ndeshjen me shifrat 102-75. Duhet theksuar se edhe shifrat flasin për një dominim të plotë të durrsakëve.
Në një takim ku trajneri Milatoviç u dha minuta në parket të 12 lojtarëve, ata ia shpërblyen më së miri besimin, pasi plot 42 pikë të Goga Basket u shënuan nga lojtarët që erdhën nga stoli, përkundër vetëm 12 pikëve të Tiranës, ndërsa edhe në aspektet e tjera, siç ishin pikët e shënuara nga topat e rrëmbyer në tabelë, nga kundërsulmet, ato të realizuara në zonë, e të tjera, basketbollistët e ekipit durrsak ishin dukshëm më superiorë. Për Goga Basket, Niko Jano ishte shënuesi më i mirë me 24 pikë, një më tepër sesa amerikani Grifin Ramè.
Por shpërndarja e pikëve për skuadrën e trajnerit Nikola Milatoviç, ka qenë më e barazpeshuar, pasi nga 12 lojtarë, vetëm dy prej tyre nuk e gjetën dot koshin, ndërsa kapiteni Marsel Aliaj dhe Herion Faslija shënuan nga 12 pikë secili, Ili Pasha shtoi 9 e amerikani tjetër, Uilliams 6. Pas ndeshjeve të javës së dytë, ku Partizani dhe Teuta korrën fitore të thella, përkatësisht ndaj Kamza Basketit dhe Vllaznia, Goga Basket ndan kreun e renditjes me të kuqtë kryeqytetas, me nga 4 pikë, dhe javën që vjen përballet me Teutën në fushën e kësaj të fundit, në derbin e qytetit bregdetar.
Kampionati Kombëtar
i Basketbollit – Meshkuj
Superliga
Java e dytë
Të premten:
Teuta – Vllaznia 101-46
Kamza Basket – Partizani 58-100
Të shtunën:
Goga Basket – Tirana 102-75
Renditja
Nr. Skuadra N. F. H. Psh-Pp Pikë
- Goga Basket 2 2 0 189-137 4
- Partizani 2 2 0 165-120 4
- Teuta 2 1 1 163-111 3
- Tirana 2 1 1 151-176 3
- Kamza Basket 2 0 2 132-176 2
- Vllaznia 2 0 2 108-188 2