“Është e vërtetë që është një hap i parë drejt kualifikimit në finalen për titull, – ka deklaruar trajneri i Vllaznisë, Bledar Gjeçaj pas fitores së arritur ndaj bardhebluve. – Ne zhvilluan një lojë mjaft të mirë dhe mendoj se e merituam fitore. Patëm disa problem, ndoshta si rezultat i disa gabimeve tona, duke bërë që skuadra mike të ofrohej dy-tre herë.”
“Por megjithatë ekipi u shfaq mirë në lojë”, – shtoi trajneri shkodran. Sipas tij, problemet ishin ato të tek sulmi. Megjithatë, edhe pse fitorja në ballafaqimin e parë ishte bindëse, për trajnerin Gjeçaj është herët për të thënë se Vllaznia është tashmë në finale, sepse ndeshjet e dyta gjithmonë kanë vështirësitë e veta. “Nuk është se ka përfunduar gjithçka, ne duhet të kemi shumë kujdes në ndeshjen e dytë”, – vijoi ai.
“Mundësisht ta mbarojmë që në këtë ndeshje të dytë çështjen e kualifikimit, sepse ne gjithmonë luajmë mirë edhe në Tiranë, – ka këmbëngulur Gjeçaj. – Duhet të jemi me këmbë në tokë”. Fitoren e arritur nga Tiranës, Gjeçaj ia dedikon edhe publikut shkodran. “Më bëhet qejfi që është rikthyer publiku, edhe ne ia shpërblyem me lojë të mirë dhe fitore”, – përfundoi trajneri i Vllaznisë.