AlbanianSport.com 09.11.2016 19:50
ASNN – Sot në mëngjes, Tirana e basketbollt për meshkuj, nëzyrat e saj tek Salla Sportive “Fahrie Hoti” në kryeqytet, ka prezantuar blerjen e saj më të re. Bëhet fjalë për një “ish” si Gerti Shima, i cili kthehet tek Tirana pas plot 5 vjetësh, por dhe për një lojtar me shumë potencial.
Këtë ka vlerësuar dhe menaxheri i përgjithshëm i klubit të basketbollit të meshkujve të Tiranës, Anxhelo Koleka, ndërsa ka pranuar se Shima ka refuzuar gjithçka për t’u rikthyer përsëri tek bardheblutë. “Ne prezantojmë sot një nga blerjet më të fundit të Tiranës”, – ka thënë ai gjatë konferencës së sotme për shtyp.
“Është lojtari më i mirë i basketbollit shqiptar, kapiteni i kombëtares shqiptare, lojtari më i mirë i Ligës Ballkanike, – ka vijuar Koleka. – Fjala është për Gerti Shimën, i cili në mënyrë paqësore ka zgjidhur një kontratë që e lidhte me SIGAL Prishtinën deri më 2018-ën.”
“Ne jemi të kënaqur që ai është pjesë e jona, sepse ka refuzuar shumë bonuse për të qenë përsëri pjesë e Tiranës”, – ka përfunduar menaxheri i përgjithshëm i Klubit të Basketbollit të meshkujve të Tiranës, Anxhelo Koleka. Ndonëse ka luajtur në Ligën Ballkanike ndaj Karpos Sokolit, Shima debuton në kampionatin shqiptar sot ndaj Flamurtarit në Vlorë.